MENU
klinika

Dritan Hila

Greku i mirë Vangjel Tavo!

02.04.2024 - 15:32

Ngjan si një diferencim alla Millosheviç i viteve ‘80-të për shqiptarë të mirë e të këqij, aq popullor gjatë represionit në Kosovë, vetëm se këtu ka një ndryshim thelbësor: minoriteti grek realisht është minoritet dhe të drejtat e tyre për shkollim, punësim, karrierë kanë pasur një diskriminim historik pozitiv. Askush ndër ne nuk ka pasur probleme me qenien grek të një shoku, eprori apo deprori. Krushqitë janë të pafundme dhe nëse ka një rritje të numrit të tyre, kjo vjen nga martesat e kryqëzuara.

Vangjel Tavo është një nga ata që karrierën e tij e zgjodhi ta bëjë në Shqipëri, por jo të stilit “shkrepëse” që të digjej për interesa të tjera. Karriera e tij filloi në PS ku ishte një makinë elektorale. Për sherre meskine e larguan-largua duke kaluar me LSI. Në veprimtarinë e tij nuk pa kombësi por promovoi shqiptarë e grekë, derisa erdhi momenti i tërheqjes apo zvjerdhjes së tij nga politika. Natyrisht që qarqet ekstremiste greke nuk ia falin ekuilibrin e tij politik, dhe kjo u pa edhe ne incidentin e Himarës.

Ideja për ta përdorur pozicionin e prefektit të Vlorës si katapultë drejt kryetarit të bashkisë Himarë, në pamje të parë krijon një shije të hidhur: Një komunë me shumicë dërrmuese shqiptare i jepet një greku 24 karat, ngjall hije dyshimi që gradualisht kjo bashki kalon nga shqiptare me një minorancë grekofone, në një të mirëfilltë greke.

Por diferenca qëndron tek Vangjel Tavo. Ai përpara se të jetë një grek i mirë, është një socialist i mirë dhe një shtetas luajal me shtetin shqiptar dhe një grek bashkëpunues me shqiptarët. Është nga ajo rracë që Shqipëria i ka dhënë gjithçka dhe ai i është mirënjohës, ndërkohë që përfaqësues të Omonia dhe PBDNJ me prejardhje të dyshimta nacionale, bëjnë si shpirt i keq duke ngjallur demonë të vjetër.

Sfida e Tavos në Himarë janë pronat. Prona që u bënë lëmsh më shumë nga ata që bërtasin e që kanë falsifikuar letra e troje pafund. Është një problem mbarë shqiptar që tashmë është mahisur, por në Himarë u zgjodh si kalë beteje nga ekstremistët obezë grekofonë që nuk është çudi që edhe pronat që pretendojnë, t’i kenë të falsifikuara. Kjo është sfidë dyfish e Vangjel Tavos. Le të shpresojmë se do ia dalë dhe do mbetet po ai greku besnik i shtetit shqiptar dhe mos bjerë në kurthin e ronxhobonxhove që prodhon ky vend.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN