MENU
klinika

Sistemi autonom i armëve

Hasani në konferencën e Vjenës: Përdorimi vetëm mbi bazën e ligjeve ndërkombëtare

29.04.2024 - 14:23

Shqipëria, si vend anëtar i NATO-s, mbështet përdorimin e sistemit autonom të armëve vetëm mbi bazën e ligjeve ndërkombëtare dhe të drejtave të njeriut.

Kështu deklaroi ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani sot në Konferencën e Vjenës “Njerëzimi në udhëkryq: Sistemet autonome të armëve dhe sfida e rregullimit”, e organizuar nga ministri Federal për Çështjet Evropiane dhe Ndërkombëtare të Austrisë, Alexander Schallenberg.

Konferenca pati në fokus nevojën për rregullim në lidhje me rritjen e autonomisë së armëve përmes përdorimit të inteligjencës artificiale.

Ministri Hasani vlerësoi angazhimin e Austrisë për të diskutuar ecurinë lidhur me këtë temë kaq aktuale dhe sfidat që ajo përcjell.

“Përdorimi i sistemeve duhet bërë vetëm bazuar në normat, parimet, ligjet ndërkombëtare dhe respektimin e të drejtave të njeriut. Besimi është kyç në shfrytëzimin e sistemeve autonome. NATO dhe vendet aleate duhet të ndërtojmë nivele të larta besimi si në teknologji, operacionalitet mbi të gjitha besim në publik”, theksoi Hasani në ndërhyrjen e tij, informoi sot ministria e Jashtme.

Në vitin 2023, Shqipëria ka mbështetur dhe bashkë sponsorizuar Rezolutën 78/241 “Për sistemin autonom të armëve vdekjeprurëse”, të propozuar nga Austria dhe të miratuar gjatë Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.

Rezoluta thekson rëndësinë e përcaktimit të qartë të kuadrit rregullator të përdorimit të tyre, rritjen e bashkëpunimit ndërkombëtar, mes aktorëve shtetërorë dhe jo shtetërorë.

Armë me një autonomi të caktuar ka edhe sot, për shembull raketat që kërkojnë në mënyrë të pavarur objektivat e mundshme dhe vendosin vetë, se cilin mund të shkatërrojnë. Kryesisht ato komandohen nga njerëzit, por për sulmin konkret nuk ka ushtarë që jep urdhrin, shpesh ai as nuk mund ta ndalë raketën.