Kryeministria e Italisë Giorgia Meloni ka reaguar lidhur me emisionin “Report” të RAI3, në të cilën u kritikua marrëveshja për emigrantët mes Shqipërisë dhe Italisë.
“Rama u lincua sepse ndihmoi Italinë me emigrantët”, tha Meloni në Pescara gjatë konventës në të cilën shpalli kandidaturën e saj në zgjedhjet evropiane të 8 dhe 9 qershorit, raportojnë mediat italiane.
“Për emigrantët bëmë marrëveshje me Edi Ramën, por zgjodhën ta linçonin. Organizuan një dokumentar për Shqipërinë në të cilin e portretizonin si një narko-shtet. Solidaritet me Ramën, Tiranën dhe gjithë popullin shqiptar”, tha më tej Meloni.
Kujtojmë që në investigimin e “Rai 3”, u publikuan dokumente dhe informacione që sipas emisionit “Report”, eksponentë të rëndësishëm të qeverisë “Rama” janë të lidhur me botën e krimit dhe të korrupsionit.
Sipas investigimit të RAI3 njeriu kyç në marrëveshjen mes Shqipërisë dhe Italisë për emigrantet është Sekretari i Këshillit të Ministrave, Engjëll Agaçi, i cili ka mbrojtur më parë njerëz të botës së krimit. Ky i fundit ka paralajmëruar padi për shpifje ndaj emisionit.
Ndërkohë, kryeministri Edi Rama në një intervistë për “Corriere”, e ka quajtur “emision i shpifur” dhe “investigim paragjykues” materialin e transmetuar në “Rai3” mbi marrëveshjen për emigrantët.
Rama thotë se në lidhje me këtë çështje nuk ka folur me homologen italiane, Meloni.
“Nuk kam folur me Giorgia Melonin, sepse e imja është një betejë për të vërtetën dhe dinjitetin e Shqipërisë dhe të shqiptarëve. Kryeministrja juaj nuk ka asnjë lidhje me të, edhe pse vendi im u tërhoq në këtë valle si një objektiv kolateral i sulmit kundër qeverisë së saj”, tha Rama për gazetën italiane.