Zëdhënësi i Këshillit të Sigurimit të Parlamentit Iranian, Abulfazl Amouei, tha se nëse Izraeli sulmon, atëherë Irani do të përdorë armët që nuk i kanë përdorur më parë.
Sipas faqes së lajmeve “Entekhab”, në një deklaratë për televizionin Al-Mayadeen me qendër në Liban, Amouei vlerësoi mundësinë e kundërpërgjigjes së Izraelit ndaj Iranit.
Amouei tha se sulmi që vendi i tij kreu ndaj Izraelit më 13 prill është i ligjshëm dhe ata do të japin kundërpërgjigje ndaj çdo sulmi të Izraelit.
“Jemi të gatshëm të përdorim armë që nuk i kemi përdorur më parë. Kemi planet tona për çdo skenar. Izraeli duhet të veprojë me logjikë”, tha Amouei.
Nga ana tjetër, kabineti i luftës së Izraelit, pritet të mblidhet sërish sot, për të diskutuar e vendosur mbi përgjigjen që do të japin ndaj sulmit iranian.
Ky do të jetë takimi i tyre i tretë, por që ende nuk kanë dalë me një vendim.
Ministri i Jashtëm Israel Katz, tha më parë se përgjigja do të jetë si në nivel diplomatik ashtu edhe në nivel ushtarak.
Reagimi diplomatik tashmë ka nisur, ku Izraeli ka kontaktuar me të gjithë aleatët e vetë duke kërkuar vendosjen e sanksioneve ndaj Iranit si dhe shpalljen “Organizatë terroriste” të Gardës Revolucionare iraniane.
Franca, Gjermania, Britania, Rusia, SHBA dhe OKB, kanë bërë thirrje që të mos ketë reagim ushtarak.
Më 1 prill Izraeli kreu sulm ajror në ndërtesën e konsullatës së Iranit në Damask. Në sulm humbën jetën 7 anëtarë të Gardës Revolucionare Islamike, përfshirë 2 gjeneralë. Pas sulmit, udhëheqja e lartë politike dhe ushtarake iraniane u zotua për “hakmarrje vendimtare”.
Më 13 prill, Irani lëshoi një breshëri dronësh dhe raketash drejt Izraelit në një operacion të quajtur “Premtimi i Vërtetë”, që zgjati disa orë, duke ndezur situatën tashmë të tensionuar rajonale.