MENU
klinika

Mediat greke: ‘Karrem’ për nacionalistët

Si mund të zgjidhet Beleri eurodeputet nga burgu

18.04.2024 - 12:39

Vendimi i Partisë qeverisëse në Greqi për të pasur mes kandidatëve për eurodeputet Fredi Belerin në burg në Shqipëri për blerje votash, vijon të jetë në qendër të lajmeve të mediave më të rëndësishme greke.

Protothema e konsideron kandidaturën e z. Beleri vetëm për efekt elektoral nga ana e Kryeministrit Mitsotakis, i cili po tenton të marrë sa më shumë vota nacionalistësh dhe ekstremistësh të djathë. Protothema shkruan se vendosja në 42 kandidatëve të partisë ‘Demokracia e re’ trazoi ujërat në fushën e brendshme partiake, megjithatë ishte ndoshta një nga të paktat herë në një kohë të gjatë që qeveria arriti të vendoste axhendën me debatin publik që rrotullohej rreth fytyrës së Belerit. Analistë të njohur grekë shkruajnë se pjesa thelbësore e kandidimit ka të bëjë me përgjigjen ndaj reflektimit të shumë njerëzve në kampin blu, nëse Demokracia e Re po ecën në mënyrë të njëanshme drejt qendrës. Sipas prestigjiozes greke Protothema zgjedhja e tij mund të ketë edhe një mesazh simbolik, “pasi ka mundësi që në muajt në vijim zoti Beleris të qëndrojë në burg si eurodeputet i zgjedhur”

Shkrimi i ‘Protothema’

Ndërsa media tjetër greke Kathimerini shkruan këtë të enjte se mënyra se si Beleri do ta bëjë fushatën është një problem, për shkak se nga burgu i Fierit nuk mundet. Në këtë vështirësi praktike, familja e tij është thirrur të gjejë një zgjidhje. Sipas gazetës për momentin është menduar që djali i Belerit të mbajë mbi supe barrën e fushatës duke bërë takimet nëpër Greqi, ku pritet të lexojë mesazhet e të atit, të regjistruara ose të shkruara. Sigurisht duke mos harruar rrjetet sociale dhe mesazhet e politikanëve të tjerë të lartë të ‘Nea Demokratia’ në Greqi.

Por a mund dhe si mund të zgjidhet Beleri eurodeputet?

Fredi Beleri është në mesin e 42 kandidatëve të djathtë për eurodeputet në Greqi ndërsa Greqia mund të dërgojë vetëm 21 të tillë në Parlament. Vetë ‘Demokracia e Re’ e Kyriakos Mitsotakis ka vetëm 8 përfaqësues, të zgjedhur para 5 viteve në 2019-n. Pra Fredi Beleri do t’i duhet të marrë vota pëlqyese dhe të renditet mes më të votuarve të partisë qeverisëse. Eurodeputeti i tetë që është zgjedhur legjislaturën e kaluar nga ‘Demokracia e re’ ka marrë mbi 195 mijë vota. Se sa Beleri do të jetë i aftë të marrë rreth 200 mijë vota të qytetarëve grekë kjo duket si një sipërmarrje shumë e vështirë.

Çfarë ndodh nëse Beleri zgjidhet eurodeputet?

Nëse Beleri fiton mandatin si eurodeputet atëherë për të shpallur zgjedhjet e ardhshme në Bashkinë e Himarës nuk do të ishte e nevojshme pritja e një vendimi të formës së prerë të Apelit të GJKKO. Beleri do të hiqet përfundimisht dorë nga betimi për kryetar në Himarë. Ligji ynë ndalon që një kryetar bashkie të jetë deputet.

Dënimi me formë të prerë për blerje votash për Belerin do të ishte vetëm një ‘dhimbje’ koke e qeverisë greke se si ta justifikonte se si një të dënuar për krim elektoral e bën një ligjvënës të Bashkimit Evropian.