MENU
klinika

Altin Dumani: Kemi sekuestruar pasuritë e tyre

“Kemi proceduar penalisht magjistratët e Kushtetueses dhe Gjykatës së Lartë”

12.04.2024 - 10:49

Kreu i SPAK, Altin Dumani është shprehur se janë proceduar penalisht, si edhe janë dërguar për gjykim disa anëtarë të Gjykatës së Lartë dhe Kushtetueses të cilët janë shkarkuar nga procesi i vettingut.

Ai deklaroi gjithashtu se disa prej tyre u janë sekuestruar pasuritë, që janë në proces konfiskimi.

“Duhet të merret në konsideratë kompetenca e SPAK në raport me subjektet që i nënshtrohen vettingut.

Ne kemi kompetencë vetëm gjyqtarët e Kushtetuese, Gjykatës së Lartë, Prokurorin e Përgjithshëm. Në raport me këto subjekteve të posaçme ne kemi proceduar penalisht, kemi dërguar edhe për gjykim disa anëtarë të Gjykatës së Lartë, Kushtetuese të cilët janë shkarkuar nga procesi i vettingut, kemi edhe vendime fajësie edhe të formës së prerë. Kemi edhe hetime pasurore në raport me këto subjekte ku kemi arritur në një vendim konfiskimin e pasurisë. Janë sekuestruar dhe janë në proces konfiskimi edhe pasuri të subjekteve që ne i kemi akuzuar.

Numri i gjyqtarëve në kompetencën tonë është i vogël. Numri i gjyqtarëve dhe prokurorëve që janë larguar nga sistemi për shkak të vettingut, i përket të Shkallës së Parë dhe Apelit. Janë në kompetencën tonë vetëm kur kryejnë një vepër penale që është kompetencë e jona. Nuk jemi indiferentë ndaj vendimmarrjes së vettingut. Rastet edhe duhet të na referohen”, tha Dumani.