Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi ka bërë të ditur se në bazë të të dhënave që kanë mbërritur në Komisionet Komunale të Zgjedhjeve, në katër komunat në veri, numri i qytetarëve që kanë votuar deri në orën 15:00 është 122 votues, në Leposaviq, 17 në Zubin Potok, 0 në Zveçan dhe në Mitrovicë të Veriut 64 votues.
“Sipas të dhënave që kemi pranuar nga Komisionet Komunale të Zgjedhjeve në këto katër komuna, numri i qytetarëve që kanë votuar deri në orën 15:00 është si në vijim: Në Leposaviq kanë votuar votues 122, në Zubin Potok 17, Zveçan 0 dhe Mitrovicë e Veriut 64 votues”, tha Elezi.
Elezi iu bëri thirrje qytetarëve të komunave në veri të marrin pjesë në procesin e votimit për t’u deklaruar nëse janë për apo kundër largimit nga funksioni të kryetarit të komunës së tyre.
“Në emër të KQZ-së, ftoj të gjithë qytetarët e komunave Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut që ta shfrytëzojnë këtë të drejtë të tyre për të marrë pjesë në procesin e votimit dhe të deklarohen nëse janë për apo kundër largimit nga funksioni të kryetarit të komunës së tyre”, tha Elezi
Ndërkaq, shefi i misionit të BE-së për siguri dhe mbrojtje (EULEX), Giovanni Pietro Barbano, ka deklaruar se ky mision po e monitoron situatën e përgjithshme të sigurisë rreth vendvotimeve në katër komunat veriore.
Me anë të një postimi në platformën X, Barbano njoftoi se monitorimi i EULEX-it po bëhet në koordinim me Policinë e Kosovës dhe KFOR-in.
“Në koordinim me Policinë e Kosovës dhe KFOR-in, EULEX-i është duke monitoruar situatën e përgjithshme të sigurisë rreth vendvotimeve në katër komunat ku po zhvillohet votimi për largimin e kryetarëve”, ka shkruar ai.