Me të drejtë sipas ligjit, por edhe për nevojat që kanë, pensionistët prisnin që në datë 1 prill të këtij viti qeveria të nxirrte vendimin për indeksim pensionesh. Por, kjo gjë nuk ka ndodhur deri më tani. Prandaj në këto javë pensionistët kanë qenë të shqetësuar. Të gjithë pyesin se çdo bëhet me pensionet? Për të sqaruar mbi çdo gjë që pensionistët kanë nevojë të dinë, por edhe për të hedhur dritë mbi atë çfarë po ndodh, ka folur eksperti i njohur i Ekonomisë, Koço Broka. Ai ka dhënë për Gijotinën një analizë të qartë për situatën, bazuar tek ligjet.
-Zoti Broka, në prill të vitit 2023 pati një indeksim te pensioneve, por pensionistët shprehen se nuk është i mjaftueshëm dhe kërkojnë një tjetër indeksim së shpejti. Sipas jush kur do të jetë indeksimi i radhës dhe a janë të efektshme indeksimet që bëhen?
Shoh shumë tituj në gazeta dhe në televizion lidhur me këtë aspekt muajt e ditët e fundit. Kjo ngjall interes për lexuesit, zhvillon tregun e medias. Kjo sidomos kur të ardhurat nga pensioni për pjesën më të madhe të pensionistëve janë shumë të ulëta. Në këto kushte kjo nxit kërshërinë e pensionistëve dhe më ndodh që edhe të njohur të më pyesin: Kur do të na indeksohen pensionet?! Natyrisht nuk mund ta di as unë apo dhe të tjerë që flasin e trajtojnë në media temën e pensioneve. Ajo që mund të them unë është sa më poshtë. Ligji “Për sigurimet shoqërore” me Neni 61 Indeksimi i përfitimeve Pensioni social, pensionet e pleqërisë, të invaliditetit, familjare, si edhe të ardhurat nga aksidentet në punë dhe sëmundjet profesionale indeksohen çdo vit për të kompensuar pasojat e ndryshimit të çmimeve të mallrave dhe të shërbimeve të zgjedhura për nivelin minimal të jetesës së pensionistëve. Këshilli i Ministrave cakton listën e mallrave të zgjedhura, mbi të cilën llogaritet indeksi, metodën e llogaritjes dhe datën e indeksimit. Pra ligji kur trajton çështjen e indeksimit të pensioneve ndalet jo vetëm në shportën e mallrave mbi bazën e të cilit është përllogaritur niveli për indeksimin e pensioneve, por edhe që VKM të shprehet për datën e datën e indeksimit. Pra kërkesë e ligjit është dhe përcaktimi i datës, së indeksimit të pensioneve. Përkundrejt kësaj fryme të qartë VENDIM Nr. 131, datë 22.2.2017, në nenin 3 , thuhet “3. Indeksi i ndryshimit mesatar vjetor të çmimeve të grupmallrave e shërbimeve llogaritet nga Instituti i Statistikave dhe i njoftohet Institutit të Sigurimeve Shoqërore deri në datën 10 shkurt të çdo viti.” Ndërkohë kemi pasur praktikën konkrete e zbatimit të këtij vendimi në vite. Sipas tyre rezulton se indeksimi i pensioneve është bërë në datën 1 Prill për vitet 2019, 2020, 2021, 2022. Në kushtet kur niveli i inflacionit për vitin 2022, ishte shumë i lartë duke prekur në radhë të parë e mbi të gjitha rritjen e çmimeve të ushqimeve, duke cenuar dukshëm nivelin e jetesës të pensionistëve sidomos të atyre me të ardhura të ul?ëta dhe të mesme natyrshëm. Këshilli i Ministrave, bëri gjatë atij vitit një indeksim të dytë brenda vitit më 1 Tetor, por dhe dy paketa me bonus për pensionistët. Ky tregues vazhdoi i lartë dhe për vitin 2023 por me një kah të ndryshëm me atë të vitit 2022, ku në këtë të fundit kishte prirje rritës duke arritur nivelin më të lartë në Tetor dhe më pas filloi të ketë një prirje rënëse. Bonusi për pensionistët për të kompensuar çmimet e rritura , gjatë vitit 2022 u realizua fillimisht kryesisht për pensionistët me të ardhura të ulëta ose të vetëm, gjatë muajve Prill, Maj, Qershor 2022 dhe tjetri prej 8 mijë lekë për të gjithë pensionistët që u dha defakto në Janar 2023, për llogari të vitit 2022. Në fakt nga llogaritjet rezulton se Indeksi i ndryshimit mesatar vjetor të çmimeve të grup mallrave e shërbimeve të shportës së pensionistëve për vitin 2022, rezultoi 8.3 përqind. Së bashku me efektin e rritjes të numrit të pensionistëve prej 1.9 përqind. Këtu shuma e shpenzimeve për këto dy indeksimet plus bonuset, plotësoi pa rritje të pensioneve indeksin e ndryshimit mesatar vjetor të çmimeve të grupmallrave e shërbimeve për vitin 2022. Por kjo u shoqërua me thellimin e deficit të sigurimeve shoqërore.
-Po për vitin 2023 si ishte ndikimi?
Por nuk ndodhi kështu për vitin 2023 i cili u karakterizua përsëri nga një nivel relativisht i lartë i inflacionit në trajtën e Indeksit të ndryshimit mesatar vjetor të çmimeve të grupmallrave e shërbimeve prej 6.7%. Megjithatë në Prill të vitit të kaluar nuk u bë indeksim, por vetëm u dha një bonus prej 5000 lek për çdo pensionist në Maj. Indeksimi u bë vetëm më 1 Tetor 2023, në masën 8.6 %. Por duke u dhënë vetëm për ¼ e vitit masa e indeksimit dhe bonusi i dhënë gjatë vitit 2023, realizon një indeksim vetëm prej 2.4 %. Në kushtet kur sipas Statistika të Sigurimeve Shoqërore 2023, kur numri i pensionistëve u rrit 2.6 %, ndërsa shpenzimet për sigurimet shoqërore gjithsej u rritën 4.6%, kjo do të thotë që përmasat e indeksimit të pensioneve janë bërë vetëm në nivelin e 2.4 % . Pra qeveria, shteti u mbetet borxh për një indeksim ose më saktë qoftë nëpërmjet bonusit për të kompensuar rritjen e çmimeve të këtij viti duke i rritur pensionet sidomos ato të detyrueshme në nivelin prej 4.3 përqind për vitin 2023. Në këto kushte gjithë pensionistët prisnin që indeksimi i pensioneve të bëhej më 1 Prill 2024 ose presin të behet sa më shpejt. Qeveria duhet të zbatojë kërkesat e nenit 61 të Ligjit Për sigurimet shoqërore. Në këtë rrafsh nuk më mbetet veçse të falënderoj median tuaj për interesimin për pensionistët dhe indeksimin e pensionit të tyre
-Ku ka gabuar qeveria?
Këtu është e nevojshme të bëhet një sqarim VENDIM ‘Nr. 131 I Këshillit të Ministrave , datë 22.2.2017 në nenin 5’ shprehimisht kërkon që indeksimi i pensioneve të bëhet për gjithë grupet e pensioneve dhe jo vetëm për pensionet e ulëta. “5. Çdo vit, si pasojë e ndryshimit të indeksit mesatar vjetor të çmimeve të mallrave dhe shërbimeve, të cilat janë vlerësuar si bazë për nivelin minimal jetik të pensionistëve, të indeksohen”. Më tej jepen të gjithë grupet e pensioneve përfshirë ato të ulëta dhe ato të larta brenda secilit grup. Është çështje tjetër që për pensionet e nivelit mestar e sidomos ato të ulëta kjo rritje defakto rezulton e pamjaftueshme qoftë për kompensimin e çmimeve sidomos të mallrave ushqimore. Por për këtë rast Neni 88 Të drejtat e fituara, i Ligjit Për Sigurimet shoqërore është i qartë në paragrafin Nr 1 të tij ku thuhet “1. Sigurimi shoqëror është jofitimprurës. Me kontributet e derdhura garantohet pagesa në para për të kompensuar pakësimin e të ardhurave në një shumë që mbulon të paktën një standard minimal jetese, i cili përcaktohet nga Këshilli i Ministrave. Kur standardi minimal i jetesës nuk arrihet nga pensioni, për pensionistët me datë fillimi deri më 31.12.2014, Këshilli i Ministrave ka të drejtë të vendosë një shtesë të ardhurash në formë kompensimi të plotë;” Pra fryma e ligjit është tepër e qartë! I mbetet Qeverisë, Këshillit të Ministrave ta zbatojnë atë, si në gërmë dhe në frymë. Kjo kërkon që përfaqësuesit e pensionistëve, sidomos në Këshillin Administrativ të ISSH, dhe sindikatat e pensionistëve të kërkojnë dhe të mbrojnë me vendimmarrjen e tyre zbatimin e ligjit. Do ishte kënaqësi që të lexoja përgjigjen e pyetjes suaj nga këta përfaqësues.
-Si paraqitet situata në këto muajt e parë të këtij viti?
Që të plotësojmë atë ç’thamë më lartë, pra nevojën sa më të shpejtë të një indeksimi. unë do doja të paraqisja analiza dhe disa informacione. Ditën e hënë ( 8 prill) u publikuan të dhënat për indeksin e çmimeve të konsumit për Marsin 2024. Pas kapërcimit që pësuan çmimet e konsumit, pas fillimit të pushtimit të Ukrainës nga Rusia, në Mars 2022, vazhdoi rritja e tyre duke kulmuar në Tetor 2022, me një ndryshimit vjetor prej 8.3 %, krahasuar me të nijetin muaj të një viti më parë. Më pas filloi një rënie, për të arritur në një ndryshim vjetor në muajin Prill 2023 në nivelin e 4.6 % krahasuar me të nijetin muaj të një viti më parë. Por, më tej kjo u pasuan nga një rënie e lehtë deri në Dhjetor 2023, ku ndryshimi vjetor i çmimeve të konsumit rezultoi në 4 %, ndaj atij të Dhjetorit 2022. Mirëpo rënia filloi të shpejtohet gjatë muajve të parë të vitit 2024, duke arritur në Mars në vetëm 2.3% Karakteristikë për muajt e parë të vitit 2024, është jo vetëm rënia e shpejtë e çmimeve në tërësi por sidomos dhe indeksit që ka të bëjë me shportën e mallrave dhe shërbimeve që përdoret për indeksimin e çmimeve për pensionistët. Si del dhe nga të dhënat e tabelës me burim INSTAT, ndryshimi vjetor i indeksit të çmimeve të konsumit, për muajin Janar, ra në 3.4 %, në Shkurt në 2.6 %dhe në Mars 2024 në 2.3 %, krahasuar me muajt përkatës të vitit 2023. Nga të dhënat e tabelës rezulton se ndryshimi vjetor i këtij treguesi ka rënë nga 4.2 % në Janar, në 2,7 % në Shkurt për të mbërritur në 2,27 në Mars 2024. Kjo e ka shpjegimin në rënien e madhe të grupit Ushqime dhe pije joalkoolike, i cili për Marsin e vitit 2024, ndaj atij të një viti më parë, rezulton vetëm 2.0 përqindje. Kjo analizë tregon se kemi rënie të çmimeve për mallrat e konsumit bazë, por nuk justifikon nevojën për indeksim. Përkundrazi të dhënat që kemi paraqitur nga fillimi i intervistës e deri më tani tregojnë se qeveria duhej të kishte bërë indeksimin e pensioneve duke zbatuar ligjin, pra që në datën 1 Prill.