MENU
klinika

Analiza

Kush është “Çurçilli i ri”, njeriu që “hapi thesin” për Ukrainën

23.04.2024 - 09:00

Pas muajsh ngërçi, që polarizoi më tej politikën amerikane dhe përmbysi përsëri inercinë e luftës në favor të Rusisë, Dhoma e Përfaqësuesve miratoi paketën e ndihmës prej 61 miliardë dollarësh për Kievin. Numërimi përfundimtar tregonte 312 vota pro dhe 112 kundër. Të dhënat politike i shohin demokratët kompakt, me republikanët të ndarë në gjysmë. Në dy votime të tjera të ndara, drita jeshile iu dha edhe 26 miliardë ndihmave për Izraelin, me 58 vota kundër midis demokratëve dhe 8 miliardë për Tajvanin. Masat tani do të kthehen në Senat nesër dhe më pas do të nënshkruhen nga Presidenti Joe Biden. Pentagoni tashmë po përgatitet të dërgojë artileri dhe sisteme të mbrojtjes ajrore në Ukrainë.Zbërthimi i projektligjit prej 95 miliardë dollarësh të miratuar në fillim të shkurtit nga Senati, pas muajsh negociatash rraskapitëse, ishte dredhia e ideuar nga kryetari republikan Mike Johnson për të kapërcyer rezistencën brenda partisë së tij dhe për të siguruar mbështetjen. Kjo ka bërë që ai të përfundojë në qendër të vëmendjes, ndonëse masa nxiti polemika, brenda dhe jashtë vendit.

“Çurçilli i ri”

Kryetari republikan Mike Johnson tregoi guxim politik që është i rrallë në Uashington dhe aftësi të dukshme legjislative për një udhëheqës të papërvojë në detyrimin e një projektligji ndihme prej 60 miliardë dollarësh për Ukrainën të shtunën përmes Dhomës së Përfaqësuesve. Johnson e vuri punën e tij në rrezik ekstrem për të dalë në mbrojtje të një kombi demokratik të viktimizuar nga një pushtim i paprovokuar nga njeriu i fortë rus Vladimir Putin dhe për të forcuar udhëheqjen e Amerikës në Perëndim. Veprimet e tij mund të shpëtojnë mijëra jetë ukrainase, edhe nëse vendosmëria e Rusisë për të fituar një luftë të përgjakshme në të cilën ajo synon civilët nuk tregon asnjë shenjë zbehjeje. Mbështetja e Mik Johnson për projekt-ligjin pasoi një periudhë të vetë-ekzaminimit dhe një evolucioni politik që është gjithashtu i pazakontë. Kryetari i Komitetit të Punëve të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve, Mike McCaul, tha se Johnson tregoi udhëheqje të vërtetë. Madje shumë ekspertë dhe media amerikane e kanë quajtur këtë javë një “moment të Çurçillit ose Chamberlenit”.

Reagimet në Moskë

Por siç pritej, Kremlini reagoi me shumë zemërim dhe paralajmëroi se kjo do të çonte në “vdekjen e edhe më shumë ukrainasve”, siç shkruan “Newsweek”. Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha se ky vendim “do të pasurojë më tej Shtetet e Bashkuara të Amerikës, do të shkatërrojë më tej Ukrainën dhe do të rezultojë në vdekjen e edhe më shumë ukrainasve, për të cilin fajin e ka regjimi në Kiev”. Deklarata e tij u raportua nga të gjitha mediat kryesore ruse. “Aprovimi i ndihmës ushtarake të SHBA-së për Ukrainën, Izraelin dhe Tajvanin do të përkeqësojë krizën globale”, tha zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse Maria Zakharova në një deklaratë për Telegram. Dmitry Medvedev, ish-presidenti rus dhe zëvendëspresidenti aktual i Këshillit të Sigurimit Rus, tha se miratimi i ndihmës së re për Ukrainën është “rusofobik” dhe do të rrisë ndjeshëm “numrin e viktimave në këtë luftë”. “Unë sinqerisht dëshiroj që SHBA të zhyten në një luftë të re civile sa më shpejt të jetë e mundur”, shkroi Medvedev në Telegram.

“Vietnami i dytë”

Po ashtu, Rusia thotë se vendimi i Amerikës tregon se Uashingtoni po zhytet më thellë në një luftë hibride kundër Moskës që do të përfundojë në poshtërim si në Vietnam apo Afganistan. Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse Maria Zakharova tha se ishte e qartë se SHBA dëshironte që Ukraina të “luftonte deri në Ukrainën e fundit”, duke përfshirë sulmet ndaj territorit sovran rus dhe civilëve.“Përfshirja gjithnjë e më e thellë e Uashingtonit në luftën hibride kundër Rusisë do të kthehet në një fiasko të zhurmshme dhe poshtëruese për SHBA-në si Vietnami apo Afganistani”, tha Zakharova. Rusia do t’i përgjigjet “pa kushte dhe vendosmërisht” vendimit amerikan për t’u përfshirë më shumë në luftën e Ukrainës, shtoi ajo. Zëvendës ambasadori rus në OKB, Dmitrij Polyanski, tha dje se “nuk ka asgjë për të festuar”.