Është arrestuar shtetasi i shpallur në kërkim, Agron Bejdolli, i cili konsiderohet si krahu i djathtë i “Rrumit të Shijakut”.
Agron Bejdolli është vendosur në pranga në shtëpinë e një kushëriri të tij në Spitallë të Durrësit.
Ndaj tij është caktuar masa e sigurisaë arrest në burg për “heqje paligjshme të lirisë (pengmarrje)” në bashkëpunim me Rrumin, të dy vëllezërve Indrit dhe Gentian Beqiraj në tetor 2022.
Ngjarja
Ajo që fillimisht u raportoi si një incident në rrugë pas përplasjes së një motori nga një automjet, ka qenë një veprimtari e përfilltë kriminale. Dy vëllezërit Beqiraj ishin nisur drejt Durrësit me mjetin e tyre të vogël, kur në rrugë një automjet i ka goditur nga pas. Gjatë konfliktit, Indrit Beqiraj është marrë peng për disa minuta. Ndërsa policia ishte vënë në lëvizje për ta liruar atë, autorët e kanë lënë të lirë, kanë braktisur mjetin dhe janë arratisur.
Midis tyre dyshohet të ketë qenë edhe “Rrumi”. “Në kuadër të veprimeve të thelluara të kryera në vijimësi, si dhe atyre të kryera gjatë dy ditëve të fundit, nisur edhe nga konflikti mes 2 vëllezërve me disa persona të tjerë, u bë e mundur zbardhja e disa ngjarjeve kriminale, si dhe qëllimi i konfliktit të ndodhur më datë 02.10.2022, në autostradën Durrës-Tiranë, në vendin e quajtur ‘Koxhas’, ku disa persona me automjete kanë goditur motomjetin e dy vëllezërve G. B. dhe I. B. dhe më pas kanë marrë me vete, njërin prej tyre, për disa minuta.
Në sajë të veprimeve të shpejta, reagimit dhe presionit policor, personat që kishin marrë në automjet shtetasin I. B., në pamundësi për të dalë me automjet nga perimetri i rrethimit të Policisë, e kanë lënë në rrugë shtetasin I. B., kanë braktisur automjetet dhe kanë mundur të largohen në këmbë”, sqaroi Policia. “Nga tërësia e veprimeve hetimore u bë dokumentimi i plotë i kësaj ngjarjeje dhe identifikimi i autorëve të saj. Është vënë në pranga njëri prej autorëve dhe janë shpallur në kërkim 3 të tjerë. Gjithashtu, u sekuestruan mjetet e përdorura në këtë ngjarje. Në automjetin me të cilin është marrë peng shtetasi I. B. janë gjetur dhe fiksuar prova shkencore”, thekson Policia.
Porositë për vrasje
Operacioni policor i koduar “Porositësi”, u organizuar nga Policia e Durrësit pas dëshmisë së dy vëllezërve Beqiraj, të cilët denoncuan në polici dhunën e ushtruar ndaj tyre nga disa persona, për të përfunduar më pas në pranga si “vrasës me pagesë”. Zbërthimi i tyre përpara organeve të hetimit ka mundësuar jo vetëm veprimtarinë e tyre kriminale, por edhe zbardhjen e disa vrasjeve, të cilët kishin mbetur në sirtarët e policisë si ngjarje pa autorë. Sipas dëshmive të tyre, dy prej vrasjeve janë porositur kundrejt pagesave nga Kasandro Noga, ndërsa një vrasje tjetër është porositur nga Flamur Bejko, punonjës i Policisë së Burgjeve.
Në të njëjtën kohë, vëllezërit kishin marrë porosi edhe për eliminimin e Aleksandër Lahos alias Pëllumb Muharremit, i njohur ndryshe edhe si “Rrumi” i Shijakut. Një nga personat e përfshirë në dhunimin e vëllezërve gjatë së shtunës ishte pikërisht miku i “Rrumit”, i cili me sa duket ka pasur informacion për tentativën e tyre për ta vrarë. Për këtë arsye, është shpallur në kërkim vetë “Rrumi”, Agron Bejdolli dhe Dritan Ferra. Nga hetimet e thelluara të policisë në bashkëpunim edhe me Prokurorinë, ka rezultuar se personat e arrestuar, në bashkëpunim me njëritjetrin, kanë vepruar në formën e një grupi të strukturuar kriminal, nga viti 2021 dhe në vazhdim.
Zbulimi i grupit kriminal
Aksident i qëllimshëm i pasuar nga një pengmarrje dhe më pas denoncim në polici, ka shërbyer për të zbuluar një grup kriminal dhe për të zbardhur një sërë atentatesh në Durrës dhe në Tiranë.
14 persona kanë përfunduar në pranga dhe pesë të tjerë janë shpallur në kërkim, të akuzuar si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal. Midis tyre është edhe i shumëkërkuar, Kasandro Noga, i cili aktualisht rezulton i arrestuar në Belgjikë për një tjetër ngjarje kriminale.
Policia tha se vëllezërit janë paguar nga 50 deri në 150 mijë euro për të kryer vrasjet, përkatësisht në Tiranë dhe në Durrës. “Shtetasit Gentian dhe Indrit Beqiraj, në periudha të ndryshme kohore, janë kontaktuar nga Kevin Zeneli alias Kevin Suçi dhe Ilirjan Feçi, për llogari të shtetasit Kasandro Noga, kundrejt pagesave nga 50 mijë deri 150 mijë euro, për të kryer vrasjen e një shtetasi dhe të nipërve të tij, në qytetin e Tiranës, si dhe për vrasjen e shtetasit A. M., në qytetin e Durrësit”, sqaron Policia.
TE ARRESTUARIT NË KUADËR TË OPERACIONIT TË KODUAR “Porositësi” (2022)
1. Gentjan Beqiraj 39 vjeç, banues në Durrës,
2. Indrit Beqiraj, 32 vjeç;
3. Flamur Bejko, 52 vjeç, banues në Durrës (punonjës i Policisë së Burgjeve, Durrës);
4. Pellumb Hoxha, 52 vjeç, banues në Fushë Krujë;
5. Idajet Hoxha, 42 vjeç, banues në Bulqizë;
6. Armand Dalipi (Daka), 43 vjeç, banues në Durrës, të gjithë të akuzuar për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municioneve” dhe “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për kryerjen e vrasjes”, kryer në formën e grupit të strukturuar kriminal;
7. Fatjon Myrta, 52 vjeç, banues në Sukth, për veprën penale “Heqja e paligjshme e lirisë”;
8. Blerim Elezi, 51 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”;
9. Gentian Sheshi, 50 vjeç, banues në Durrës;
10. Kujtim Deliallisi, 64 vjeç, banues në Shijak;
11. Albano Hajdari, 38 vjeç, banues në Durrës;
12. Fatjon Hajdari, 39 vjeç, banues në Durrës;
13. Armando Lama, 32 vjeç, banues në Durrës;
14. Altin Celami, 43 vjeç, banues në Tiranë (ushtarak në repartin e Pezë Helmës, Tiranë), për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municioneve”;
15. Ilirjan Feçi, i arrestuar më parë në kuadër të operacionit “Golden Bullet”.
U SHPALLËN NË KËRKIM SHTETASIT:
1. Agron Bejdolli, 51 vjeç, banues në Durrës;
2. Aleksander Laho alias Pellumb Muharremi, 49 vjeç;
3. Dritan Ferra alias Dritan Muça alias Dritan Prifti, 42 vjeç, banues në Shijak, të akuzuar për “Heqja e paligjshme e lirisë”;
4. Alban Skonja, 39 vjeç, banues në Durrës, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municioneve” dhe “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për kryerjen e vrasjes” e kryer në formën e grupit të strukturuar kriminal;
5. Kevin Zeneli alias Kevin Suçi, 23 vjeç, banues në Durrës, për veprat penale “Vrasja”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municioneve” dhe “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për kryerjen e vrasjes”, kryer në formën e grupit të strukturuar kriminal. Aktualisht, është në kërkim ndërkombëtar, për një tentativë vrasjeje në Belgjikë;
6. Kasander Noga, aktualisht i arrestuar në Belgjikë.