MENU
klinika

Çfarë përmban

Marrëveshje mes Policisë së Shtetit dhe asaj Bashkiake për sigurinë në kryeqytet

12.04.2024 - 14:31

Policia e Shtetit dhe ajo Bashkiake kanë nënshkruar një marrëveshje për rritjen e sigurisë në kryeqytet.

Në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes ishin të pranishëm kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. ministri i Brendshëm, Taulant Balla, si edhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku.

Marrëveshja ka qëllim ushtrimin e funksioneve të tyre në shërbim të rendit në komunitet, mbrojtjen e shëndetit të njerëzve e sigurisë publike, si dhe disiplinimin, kontrollin dhe zbatimin e rregullave të qarkullimit rrugor në Tiranë.

Kreu i Bashkisë shprehu mirënjohjen e tij për efektivët e Policisë së Shtetit dhe ata të Policisë Bashkiake, të cilët janë çdo ditë në terren për sigurinë e qytetarëve të Tiranës.

“Misioni ynë është i përbashkët! Kjo skuadër është skuadra “Tirana”, mes institucioneve që shërbejnë me uniformë, të cilat bëjnë një punë jetike për mbarëvajtjen e qytetit dhe nivelin e sigurisë në Tiran. Jemi një vend ku shteti është shtet, qyteti është qytet, turistët janë turistë, dhe sot Shqipëria është totalisht europiane, falë një rendi dhe sigurie publike model në të gjithë rajonin tonë”, tha Veliaj.

Nga ana e tij, ministri i Brendshëm, Taulant Balla tha se marrëveshja e firmosur sot mes Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe Bashkisë së Tiranës, ka në themelin e vet ushtrimin e funksioneve në shërbim të rendit në komunitet, të mbrojtjes së shëndetit të njerëzve, të sigurisë publike në disiplinimin, kontrollimin dhe zbatimin e rregullave të qarkullimit rrugor në kryeqytet.

“Jemi këtu për të njoftuar një qasje të re të Policisë së Shtetit, për të ndërtuar një aleancë edhe më të fortë me njësitë e qeverisjes vendore. Jo pa shkak Tirana është e para, jo pse është kryeqyteti, por se kemi gjetur te Tirana, te gjithë stafi i Bashkisë së Tiranës, në mënyrë të veçantë te Policia Bashkiake, një partner të rëndësishëm për të kryer detyrat tona të rëndësishme, të cilat i kemi një pjesë të madhe të përbashkëta dhe sot çelim një fazë të re të institucionalizimit të këtij bashkëpunimi. Koordinimi më i mirë mes të gjitha agjencive ligjzbatuese po rrit efikasitetin tonë në parandalimin e krimeve në mbrojtjes e jetës së qytetarëve, duke na garantuar, sikurse tha kryetari i bashkisë, një nivel tjetër sigurie publike, duke e bërë kryeqytetin e Tiranës si një prej qyteteve me nivelin më të mirë të sigurisë publike. E kemi parashikuar në këtë marrëveshje që do të firmoset pas pak kalimin te Policia e Shtetit të të gjitha informacioneve, imazheve dhe videove, në kohë reale të sistemit të kamerave të vendosura në të gjitha kryqëzimet e kryeqytetit”, përfundoi Balla.