MENU
klinika

Nga Finlanda te Spanja

Mbrojtja e kufijve, ja praktikat e ndjekura nga shtete të ndryshme në Europë

06.04.2024 - 13:38

Kur Spanja rrethoi për herë të parë me tela me gjemba dy enklavat e saj në Afrikën e Veriut, zonën Ceuta në vitin 1993 dhe Melilla në vitin 1996, pakkush dyshoi se kjo praktikë do të bëhej popullore në të ardhmen. Në fund të fundit, vitet 1990 ishin një kohë optimiste për Europën, pasi ra Muri i Berlinit. Për fat të keq, gjërat kanë ndryshuar. Midis viteve 2014 dhe 2023, gjatësia totale e gardheve kufitare në BE, është rritur nga 315, në 2,163 km. Këtë vit do të ndërtohen gardhe të reja shtesë me gjatësi 245 km, shkruan The Economist.

Gardhet u bënë një mundësi e pëlqyer gjatë krizës së emigrantëve të ardhur nga Siria, në vitet 2015-16. Tani, me zhdukjen e kufizimeve të kohës së pandemisë, emigrimi i paligjshëm është rritur në nivele të jashtëzakonshme. Frontex, agjencia e kufirit të jashtëm të BE-së, regjistroi 380,000 kalime të paligjshme kufitare vitin e kaluar, numri më i lartë që nga viti 2016. Europa po vendos sërish gardhe për të frenuar valën e emigracionit dhe për t’u përballur me armiqësinë ruse. Kjo është më e dukshme përgjatë kufirit lindor të bllokut, ku nga Rusia dhe Bjellorusia kanë ardhur prurje emigrantësh në Poloni, Letoni, Lituani dhe Finlandë. Të gjitha këto shtete u përgjigjën me tela me gjemba.

Kostot janë të mëdha. Polonia, e cila në vitin 2021, vendosi të ndërtojë një gardh elektrik përgjatë kufirit me Bjellorusinë, me një kosto prej 353 milionë eurosh (407 milionë dollarë), vitin e kaluar, vendosi në kufirin rus kamera dhe detektorë që kushtuan rreth 80 milionë euro. Finlanda do të shpenzojë 380 milionë euro për të rrethuar vetëm 200 km kufi, që përbën vetëm 15% të kufirit të saj prej 1,340 km me Rusinë. Kostot e mirëmbajtjes e kalojnë këtë vlerë. Gardhet nuk janë shumë të volitshme, duke marrë parasysh kostot e mëdha. Me gjithë pajisjet e teknologjisë së lartë, kufiri i Polonisë nuk arriti ta parandalonte rritjen e kalimeve të jashtëligjshme vitin e kaluar.

Sllovenia rrëzoi gardhin me Kroacinë në vitin 2022, pasi nuk arriti të ulte shifrat. Për më tepër, “çdo lloj pengese fizike në një zonë… thjesht e zhvendos lëvizjen në zona të tjera”, thotë Chris Borowski nga agjencia Frontex. Nuk mund të thuhet se Europa po “përmbytet” me emigrantë. Kalimet e paautorizuara përbënin vetëm 0.13% të të gjitha kalimeve të jashtme në BE në vitin 2022. Shumica e emigrantëve hyjnë në Europë nëpërmjet Mesdheut, jo përmes Ballkanit apo kufirit tokësor lindor (shih hartën). Emigrimi në shkallë të gjerë nga Rusia “nuk është një rrezik shumë i madh”, pranon koloneli Marko Saareks, zëvendësshefi i Gardës Kufitare dhe Bregdetare të Finlandës. “Ne duhet të përgatitemi gjithsesi”.

Shqetësimi i votuesve i ka detyruar udhëheqësit të hidhen në veprim, sado joefikase që mund të jenë përpjekjet e tyre. BE-ja e ka ashpërsuar qëndrimin ndaj emigracionit gjatë viteve të fundit. Financimi për agjencinë Frontex është rritur. Në dhjetor, vendet anëtare u pajtuan për një pakt të ri emigracioni, i cili do ta bëjë më të lehtë deportimin e azilkërkuesve të papranuar. “Është rritur gatishmëria për t’i mbajtur njerëzit larg”, thotë Helena Hahn nga Qendra e Politikave Europiane, institut kërkimi.

Vendet mesdhetare kanë mbajtur prej kohësh barrën e emigrimit të paligjshëm. Pakti i ri mund të ndihmojë në këtë drejtim (ai kërkon që shtetet të pranojnë refugjatë ose të paguajnë), por ai ngre enigma ligjore dhe morale për BE-në. Gardhet “janë mishërimi i dështimit të politikave të emigracionit në shekullin XXI”, argumenton Sergio Carrera nga Qendra për Studime të Politikave Europiane, një institut kërkimor. Qindra emigrantë kanë vdekur në kufirin e forcuar midis Greqisë dhe Turqisë. Europa po u bën bisht përgjegjësive ndaj emigrantëve dhe azilkërkuesve, thotë zoti Carrera./ Monitor