Emisioni ‘Në shënjestër’, trajtoi këtë të mërkurë, arrestimet më të fundit të ndodhura në Bashkinë Tiranë, ku në prangat e SPAK, ranë Mariglen Qato dhe Redi Molla, me pozicione drejtuese në këtë bashki.
Këta të fundit në periudhën kur morën këto poste, themeluan kompaninë që sot mban emrin ‘5D Konstruksion’, ku ata ishin pronarë të fshehur, shoqëri tregtare që e ushqenin po vetë me tendera.
Dokumentari, pjesa e parë:
Ata u bënë drejtorët e radhës në Bashkinë e Tiranës, që bien në prangat e SPAK, duke konfirmuar se korrupsioni është kthyer në një strukturë të mirëfilltë, që zgjatimin e ka nga pushteti qendror deri në atë lokal. Dhe skema duket të jetë e ngjashme, ashtu si edhe në rastet e tjera, drejtorët e ardhshëm ngjiten në pozicione dhe lartësi të tilla, jo thjesht për aftësinë e tyre menaxhuese, por edhe për t’u kamufluar si ortakë në biznese të ndryshme, të cilët më pas, sapo marrin poste publike, këtyre bizneseve u rriten të ardhurat shumëfish dhe shiten te familjarët e tyre për shifra qesharake.
Një lojë në dukje numrash, por që me zbërthimin e saj, po nxjerr zbuluar edhe një nga mënyrat se si drejtuesit vendorë apo më lart, kanë zgjedhur të fshehin bizneset. Por jo vetëm kaq, ata gjithashtu i ushqejnë me tendera, gjatë kohës që tashmë pushteti i ka marrë edhe për qëllimet e veta, i vendosur në krye të këtyre institucioneve. Ky shembull duket se është edhe ai i Mariglen Qato dhe Redi Molla, të dy drejtues në kohë të ndryshme të punëve në Bashkinë e Tiranës, të cilët u vendosën në pranga nga SPAK.
Qato kishte mbajtur në Bashkinë e Tiranës, postin e drejtuesit të IMT-së (Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit), dhe Redi Molla atë të ‘Ujësjellës Kanalizime’, por që së bashku i lidhte një kompani ndërtimi e quajtur ‘5D Konstruksion’, shoqëri të cilën ata e kishin themeluar gjatë kohës që kishin marrë postet drejtuese në Bashkinë e Tiranës, duke fshehur faktin që ishin ata pronarët e vërtetë dhe konfliktin e interesit, duke e shitur kohë pas kohe te njerëz të tyre të afërt, si edhe duke ndërruar shpesh emrin.
Qato, përpara se t’i përvishej punëve në bashki, ishte emëruar fillimisht si Drejtor i Drejtorisë së Punëve Publike Nr. 2 në vitin 2015, më pas si Drejtor pranë Ujësjellësit Tiranë, dhe deri në zgjedhjet lokale të 14 Majit 2023 ishte në krye të IMT-së. Ai kishte në pronësi një biznes me bazë produktet e brumit, dhe së fundmi ishte në krye të ‘Tirana DC’ sh.a. Interesante është mënyra se ai krijoi në vitin 2016, bashkë me mikun e tij Redi Molla, kompaninë ‘5D Konstruksion’, e cila u regjistrua në Qendrën Kombëtare të Biznesit më 21 janar të vitit 2016, fillimisht në emrin ‘Igor Elektrik’. Si aksioner i vetëm rezultonte të ishte Eduart Meta, por rezulton të jetë njohje e Mariglen Qatos.
Hetimet
Nga kqyrja e dokumenteve të sekuestruara në ambientet e shoqërisë ‘5D Konstruksion’ sh.p.k si dhe analizimi i të dhënave nëpërmjet ekspertimit kompjuterik, janë gjetur prova të tjera të cilat dëshmojnë se shtetasit Eduard Meta, Muhamet Petriti dhe Nestor Muhametllari nuk kanë qenë ortakët e vërtetë të shoqërisë tregtare, tashmë me emërtimin ‘5D Konstruksion’ sh.p.k.Por pronësia e tyre mbi kuotat e shoqërisë ka qenë e regjistruar në mënyrë fiktive.
Nga ku del se pronarët faktikë, janë shtetasit Redi Molla dhe Mariglen Qato, të cilët dyshohet se e kanë zotëruar këtë shoqëri tregtare në mënyrë të tërthortë, nëpërmjet personave të mësipërm, që prej viti 2016 kur është themeluar.
Sipas dosjes hetimore të siguruar nga emisioni ‘Në Shënjestër’, kompania u themelua gjatë kohës që Qato dhe Molla ishin në pozicionet drejtuese në Bashkinë e Tiranës, megjithatë, administratori i saj në letra ishte shtetasi Eduart Meta, ndërsa në vitin e parë kishte një fitim vjetor prej 760 mijë dollarë. Ajo u shit për vetëm 75 lekë të reja te shtetasi Muhamet Petriti, i cili rezulton të jetë vjehrri i Alfred Qatos, vëllait të Mariglen Qatos.
Në vitin 2018, Muhamet Petriti kthehet në aksioner me 100 përqind të kompanisë ‘5D Konstruksion’ dhe emëron si administrator të shoqërisë shtetasin Nestor Muhametllari. Megjithatë, vetëm tri vite më pas, në vitin 2021, ai ia shet kompaninë Muhametllarit për vetëm 10 mijë euro, pavarësisht se shoqëria tregtare kishte një xhiro prej 9 milionë euro dhe një fitim prej 2 milionë euro. Ndërkohë, nga themelimi në vitin 2016 deri në vitin 2022, sipas bilancit të depozituar në Qendrën Kombëtare të Biznesit, kompania pati të ardhura në shumën e 22 milionë eurove.
Akuza kryesore që SPAK ka ngritur për dy ish-drejtorët e Bashkisë, Mariglen Qato dhe Redi Molla, është se ata në fakt janë pronarë të kompanisë ‘5D Konstruksion’ dhe kanë shfrytëzuar pozicionin e tyre drejtues në Bashkinë për të favorizuar kompaninë e tyre në tendera, duke u shërbyer me tendera në kundërshtim me ligjin dhe duke krijuar një konflikt të hapur interesi, duke e favorizuar në krahasim me kompanitë e tjera
SPAK ka vërtetuar lidhjen e tyre me kompaninë ‘5D Konstruksion’ përmes bisedave të tyre me vartësit e tyre, duke përfshirë faktin që kompania fitoi tenderin e parë nga Bashkia e Tiranës vetëm një muaj pasi ishte themeluar në vitin 2016, me emrin ‘Igor Elektrik’. Punëdhënësit e saj të parë u bënë Redi Molla, si drejtor i ‘Ujësjellës Kanalizimeve’ Tiranë, dhe Mariglen Qato në krye të komisionit të prokurimit.
Hetimet
Kompania ‘5D Konstruksion’ u regjistrua në Janar 2016 nga shtetasi Eduart Meta, me profesion elektriçist nën emrin ‘Igor Elektrik’. Kjo kompani fitoi tenderin e parë, pa mbushur një muaj nga data e themelimit.
Autoriteti Kontraktor ishte ‘Ujësjellës Kanalizime Tiranë’ sh.a, që në atë kohë drejtohej nga Redi Molla, ndërsa kryetar i komisionit të prokurimit ishte Mariglen Qato.
Edhe pse Eduart Meta ia shiti 75 përqind të aksioneve Muhamet Petritit, vjehrrit të vëllait të Mariglen Qatos, në janar të vitit 2017, ai mbeti administrator i kompanisë deri më qershor të vitit 2018, kur administrimin e mori Nestor Muhametllari. Gjatë kësaj kohe, në dhjetor të vitit 2018, Eduart Meta i shiti edhe 25 përqind të aksioneve të mbetura në pronësi të tij, shtetasit Muhamet Petriti, momenti kur kompania ndryshoi emrin nga ‘Igor Elektrik’ në ‘VAS Konstruksion’ sh.p.k.
Në vitin 2021, pasi Muhamet Petriti ia shiti kompaninë Nestor Muhametllarit, shoqëria ndryshoi sërish emrin dhe në vazhdim do të quhej ‘5D Konstruksion’ sh.p.k. Megjithatë, siç del edhe në dosjen e Prokurorisë, Muhamet Petriti është përdorur thjesht si një ‘prestanome’, pasi në të vërtetë të gjitha komunikimet në vazhdim i ka me vëllain e Mariglen Qatos, që është edhe dhëndri i Muhamet Petritit.
Hetimet
Muhamet Petriti, rezulton se është një bukëpjekës. Ai e merr pagesën dhe paguan sigurimet shoqërore në biznesin që drejton bashkëshortja e tij. Ai del se nuk ka kontakte me administratorin e kompanisë Nestor Muhametllari. Ky i fundit kur do ta telefonojë Muhamet Petritin, numrin e tij ia kërkon Alfred Qatos, vëllait të Mariglen Qatos.
Që Muhamet Petriti nuk është pronari i vërtetë i kompanisë ‘5D Konstruksion’, pavarësisht se emri i tij figuron si pronari i saj para se aksionet t’i shiste Nestor Muhametllarit, kjo vihet re edhe te një nga bisedat që ky i fundit bën me Alfred Qaton, vëllain e Mariglen Qatos, ku e këshillon që t’i thotë Muhametit të shkojë në bankë dhe të tërheqë paratë.
Hetimet
Në një moment Nestor Muhametllari i thotë Alfred Qatos që vjehrri i tij Muhamet Petriti i cili në letra është pronari i kompanisë të shkojë dhe të bëjë tërheqjen e parave në bankë.
Çka tregon se Muhamet Petriti është thjesht një emër fiktiv në kompani, përsa kohë që ai thuajse nuk ka kontakte me administratorin Nestor Muhametllari. Ndërsa ky i fundit ka qindra telefonata me vëllezërit Alfred dhe Mariglen Qato.
Një tjetër provë që konfirmoi se pas emrave të Muhamet Petritit dhe Nestor Muhametllarit, ishin ato të Mariglen Qatos dhe Redi Mollës, është edhe fakti që dy drejtorët e bashkisë, morën dividentë nga pronari në letra i kompanisë, para të cilat më pas u investuan në pallate, midis të cilëve edhe një objekt luksoz në Durrës.
Hetimet
Redi Molla dhe Mariglen Qato morën dividentë nga pronari i kompanisë Muhamet Petriti, ndërsa vetë ky i fundit paguhej në mënyrë informale nga kompania që sipas dokumenteve zyrtare e kishte në pronësi. Dyshimet janë se paratë janë investuar në ndërtime pallatesh. Kjo pasi nga të dhënat në QKB, pas vitit 2016, kompania nisi të ndërtojë 5 objekte, mes të cilëve dhe një hotel luksoz në Durrës.
Qato dhe Molla, si drejtuesit e kompanisë ‘5D Konstruksion’, ishte diçka e ditur edhe punonjësit, të cilët flisnin hapur për këtë fakt dhe nuk përpiqeshin ta mbajnë të fshehtë. Megjithatë, me interes për grupin hetues ishte një bllok shënimesh i gjetur gjatë kontrollit në banesën e shtetasit Nestor Muhametllari, ku ai kishte shënuar edhe pagesat që duhet të merrnin personat me inicialet ‘R’ dhe ‘M’, konkretisht sipas SPAK, Redi Molla dhe Mariglen Qato.
Hetimet
Gjatë kontrollit në banesën e shtetasit Nestor Muhametllari u gjet edhe një bllok shënimesh, me ngjyrë të zezë, i cili përmban një sërë shënimesh. Ku në këtë bllok ka edhe shënime për punët e shoqërisë, për kontrata publike të fituara nëpërmjet procedurave të prokurimit, etj. Shënime ku bëhet fjalë edhe për shuma monetare që janë paguar apo që janë marrë, që janë kthyer, duke iu referuar personave të shkruar me inicialet (R) dhe me (M).
Por ky nuk ishte blloku i parë i shënimeve që iu gjet Nestor Muhametllarit, ku përmendeshin pagesat dhe krah tyre edhe inicialet ‘R’ dhe ‘M’. Në një tjetër bllok të gjetur në zyrën e tij, u identifikuan edhe shifra konkrete, se sa para kishin tërhequr këta dy persona, nga kompania që në letra ishte ende në pronësi të Muhamet Petritit.
Hetimet
Gjatë kontrollit në ambientet e zyrës së shoqërisë ‘5D Konstruksion’ sh.p.k, në zyrën e shtetasit Nestor Muhametllari, u gjet edhe një bllok ngjyrë blu. Nga aty del se personi me inicialin (R) ka marrë shumën prej 11 000 000 lekë nga fitimi i realizuar në vitin 2018, ndërsa personi me inicialin (M) ka marrë shumën prej 4 000 000 lekë, nga fitimi i realizuar në vitin 2018.
Dy blloqe të ngjashme, grupi hetues gjeti edhe në administrim të punonjësve të tjerë të kompanisë, ku bëhet fjalë për periudhën kohore gjatë muajit shkurt 2022. Shënime të tilla përfshinin diskutime për mbledhjen e ortakëve, dhe aty ku figuron edhe emri ‘Redi’, i cili sipas prokurorisë, referohet shtetasit Redi Molla.
Në zyrën e ‘5D Konstruksion’ sh.p.k u gjet edhe një bllok tjetër i cili i përket shtetasit Maringlen Lika, punonjës në këtë shoqëri, ku u gjetën shënime për mbledhjen me stafin e shoqërisë. Në bllokun e dytë përshkruhet qartë se në mbledhjen me stafin ka marrë pjesë edhe personi me emrin ‘Redi’, si dhe një shënim lidhur me pagesën e fitimit të pashpërndarë për vitin 2019, ku shoqëria ka shpërndarë dividentin, i cili pas tatimit ka qenë në shumën 31 505 177 lekë, e cila përputhet me shënimet e gjetura në bllokun e shtetasit Nestor Muhametllari.
Nestor Muhametllari, i cili nuk kishte asnjë komunikim me Muhamet Petritin, provoi se ai mbante komunikime të vazhdueshme me vëllezërit ‘Qato’ përmes zbardhjes së celularit të tij. Në një nga këto biseda, Nestori i kujton Alfred Qatos që t’i thotë Muhametit të shkojë të tërheqë në bankë shumën prej 10 mijë euro, me të cilën shiti kompaninë te ai.
Hetimet
Nga kqyrja e aparatit telefonik të shtetasit Nestor Muhametllari, janë gjetur biseda me shtetasin Alfred Qato, vëllain e shtetasit Mariglen Qato. Ku më datë 20 Gusht 2020, Alfred Qato i dërgon me mesazh Nestor Muhametllarit numrin e Muhamet Petritit,
Ndërsa më datë 10 Mars 2021, Nestori i shkruan Alfredit, në lidhje me Muhamet Petritin.
Nestori: ‘Fred si je ti? Ato i kanë kaluar Metit… Të shkoj t’í tërheqi 2 herë nga 5 që të mos e bezdisin… Dhe i mbaroj taksiratet’.
Një ditë më pas Alfred Qato i konfirmon Nestorit se ka folur me vëllain e tij Mariglenin dhe se çdo gjë është në rregull.
Hetimet
Në bisedën e datës 12 Gusht 2020, Alfred Qato i kërkon Nestorit që të shkojnë të nesërmen të banka, pasi kështu ‘tha Meri’. Nga hetimet ka rezultuar se personi me emrin ‘Meri’me të cilin i drejtohen personat e mësipërm është Mariglen Qato, pasi në aparatin e telefonit të Nestor Muhametllarit është gjetur i regjistruar numri me emrin ‘Mer Qato’.
Një nga provat që grupi hetues ka në duar, janë edhe transfertat bankare të parave të kaluara nga kompania në zotërim të Muhamet Petritit, në drejtim të Nestor Muhametllarit dhe vëllezërve Qato.
Hetimet
Nga të dhënat e llogarisë bankare të shtetasit Muhamet Petriti pranë Bankës…. ka rezultuar se në llogarinë bankare të tij më datë 22 Korrik 2020, është transferuar shuma prej 25 000 000 lekë, me përshkrimin; ‘shpërndarje dividenti viti 2019’, transferuar nga shoqëria ‘VAS Konstruksion’ sh.p.k.
Kjo shumë është tërhequr pjesë-pjesë nga shtetasi Muhamet Petriti nga muaji gusht deri më tetor 2020, sipas udhëzimeve të shtetasve Nestor Muhametllari, Alfred Qato, si të shtetasit Mariglen Qato. Kjo shumë dividenti është konsideruar si e drejtë/detyrim për ‘Ortakun I’.
Pasi ka mbaruar taksiratet me Muhamet Petritin, pra duke nënkuptuar shlyerjen e tyre, Nestor Muhametllari del se ka qindra telefonata me Mariglen Qaton si edhe me Redi Mollën. Këto telefonata janë kryer në një periudhë prej afro katër vitesh, që kur ai mori në administrim kompaninë e ndërtimit ‘5D Konstruksion’. Ky fluks i lartë i telefonatave, sipas prokurorisë, tregon për lidhjen e tij me ata që konsiderohen si pronarët e vërtetë të kompanisë, në këtë rast Mariglen Qato dhe Redi Molla.
Hetimet
Për periudhën kohore nga 20 Shtator 2019 deri më 7 Qershor 2023, Nestor Muhametllari rezulton se ka pasur 1011 thirrje telefonike me shtetasin Mariglen Qato. Po kështu gjatë kësaj periudhe ky shtetas ka pasur 528 thirrje telefonike me shtetasin Redi Molla.