MENU
klinika

Protesta e opozitës

Molotovi para Bashkisë së Tiranës, arrestohen dy prej protestuesve të opozitës

26.04.2024 - 20:42

Dy protestues të opozitës janë vënë në prangat e policisë me katër akuza pas incidenteve gjatë protestave të mbajtura përpara Bashkisë së Tiranës.

Policia thotë se në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës kanë proceduar dy shtetas nga Borizana e Krujës për veprat penale “Goditjet për shkak të detyrës”, “Prishja e qetësisë publike”, “Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse dhe djegëse”, dhe “Shkatërrimi i pronës me zjarr”, kryer në bashkëpunim.

Gjatë protestave të opozitës para Bashkisë së Tiranës, janë hedhur shishe molotov dhe lëndë shpërthyese.

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, sot më datë 26.04.2024, në orën 08:00, në lidhje me aktet e dhunshme të ushtruara gjatë protestave të datave 11.04.2024 dhe 19.04.2024, përpara Bashkisë Tiranë, nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, në vijim të veprimeve hetimore e procedurale dhe nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, ndaloi shtetasit:

– A. M., 36 vjeç, dhe L. N., 40 vjeç, të dy banues në Borizanë, Krujë, për veprat penale “Goditjet për shkak të detyrës”, “Prishja e qetësisë publike”, “Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse dhe djegëse”, dhe “Shkatërrimi i pronës me zjarr”, kryer në bashkëpunim.

Nga veprimet hetimore të kryera dyshohet se këta shtetas, gjatë protestave të zhvilluara më datë 11.04.2024 dhe 19.04.2024, kanë ushtruar akte të dhunshme, kanë kundërshtuar me forcë punonjësit e policisë, kanë hedhur lëndë piroteknike e molotov në drejtim të punonjësve të policisë dhe të Bashkisë së Tiranës.

Materialet i kaluan Prokurorisë.