MENU
klinika

NATO “blindon” Kosovën

Pse Perëndimi po i tregon Beogradit “vijat e kuqe”

19.04.2024 - 12:10

Njoftimi se NATO jo vetëm do të forcojë forcat rezervë brenda misionit në Kosovë, por edhe do të sjellë më shumë pajisje të rënda është sa parandaluese aq edhe simbolikisht e rëndësishme. Kështu vlerësojnë bashkëbiseduesit e medias serbe “Blic” dhe theksojnë se shtetet perëndimore e përdorin për të thënë se, pavarësisht gjithçkaje, ato janë ende mjaft të fuqishme dhe se kushdo që dëshiron të vërë në dyshim hegjemoninë e tyre në Ballkanin Perëndimor, duhet të llogarisë me kujdes nëse ia vlen apo jo. Përforcimi i trupave u njoftua nga Komandanti Suprem i Forcave të NATO-s për Evropën dhe Komandanti i Komandës Evropiane të Ushtrisë Amerikane, Christopher Cavoli. “Pasi bëmë auditimin e plotë të KFOR-it, arritëm në përfundimin se na duhen jo vetëm më shumë forca, por edhe forca më të forta. Ky proces është në vazhdim. Do të sjellim më shumë pajisje të rënda në terren, si dhe më shumë njerëz” deklaroi Cavoli në seancën dëgjimore para Komisionit të Forcave të Armatosura të Senatit amerikan, që u mbajt më 11 prill.

“Vijat e kuqe”

“Natyrisht, ka mendime se situata në rajonin e Ballkanit Perëndimor po ndërlikohet me shpejtësi dhe se mund të çojë në përkeqësim të mëtejshëm”, komenton për “Blic” Sre?ko Gjukiç, ish-diplomat. Gjukiç vlerëson gjithashtu se njoftimi ka për qëllim “ftohjen e kokave të nxehta”. “Me përforcimet e transferuara tashmë në rajonin tonë, ky përforcim është më seriozi i dy dekadave e gjysmë të fundit. Nuk duhet theksuar se Kosova dhe Bosnja e Hercegovina, pra RS, janë dy pika veçanërisht kritike. E gjithë kjo duhet të synojë “ftohjen e kokave të nxehta”, më mirë para se të lindin konflikte që duhet të shuhen. Prania bindëse dhe e fuqishme e forcave të NATO-s duhet të jetë një pengesë për përshkallëzimin e mëtejshëm të marrëdhënieve në Ballkanin Perëndimor, për të shërbyer si një paralajmërim se ata i janë afruar vijës së kuqe”, tha po ashtu Gjukiç.

Mesazhet e Perëndimit

Gjukiç kujton gjithashtu se në atë seancë në Kongresin Amerikan u konstatua se situata në Ballkanin Perëndimor po përkeqësohet me shpejtësi. “Natyrisht, këto gjëra janë të lidhura, politike dhe ushtarake”, thotë Gjukiç. “Së pari, SHBA-të dhe aleatët dhe partnerët e saj, veçanërisht në aleancën e NATO-s, nuk kanë nevojë për një rajon tjetër të paqëndrueshëm për t’u shqetësuar, duke pasur parasysh se në Lindjen e Mesme dhe në Ukrainë situata nuk është e favorshme për sa i përket interesave të tyre. Sidomos nëse merret parasysh se ky është vit zgjedhor në SHBA”, vëren Stefan Radojkoviç, politolog.

Futja e ushtarëve të Kosovës në veri

Pas njoftimit, ka reaguar edhe kryetarja e Kuvendit të Serbisë, Ana Brnabiç, me vlerësimin se është shqetësuese. Milovan Drecun, ish-kryetar i Komisionit Parlamentar për Kosovën, së fundi ka folur për afrimin e Kosovës në NATO. “Ajo që më frikëson është ajo që kam dëgjuar në komandën e NATO-s kur kam qenë kohët e fundit, se ka disa iniciativa që çojnë në patrullimin e përbashkët të KFOR-it me forcat e sigurisë së Kosovës përgjatë vijës administrative, duke përfshirë edhe veriun. Kjo do të nënkuptojë futjen e pjesëtarëve të ushtrisë së Kosovës në veri”, thotë Drecun. Radojkoviç thotë gjithashtu se për shkak të ngjarjeve të pafavorshme në dy rajonet e përmendura, SHBA-ja dhe e gjithë aleanca e NATO-s duhet t’u sinjalizojnë të gjithëve, veçanërisht aktorëve në fushat e ndjeshme që janë me interes për ta, potencialin e tyre ushtarak, përkatësisht kapacitetet e tyre.

Shtimi i forcave

Kujtojmë se, Gjermania në periudhën e kaluar ka dërguar 150 ushtarë në Kosovë, të cilët tashmë janë në Kosovë dhe nuk janë vetëm në këtë. Para tyre, Britania e Madhe njoftoi dërgimin e 200 ushtarëve të tjerë, që do të thotë se formacioni do të ketë gjithsej 600 britanikë. Rumania dërgoi gjithashtu trupa shtesë pas incidentit në Banjskë. Sakaq, NATO po kryen një operacion paqeruajtës në Kosovë sipas Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. KFOR-i ka më shumë se 4,687 ushtarë, që është pothuajse 1,000 më shumë se vitin e kaluar. Numri më i madh i ushtarëve është nga Italia, ndjekur nga SHBA, Hungaria dhe Turqia.