Nëna e Monika Kryemadhit është paraqitur ditën e sotme në SPAK në lidhje me hetimet për pasurinë. Kjo u konfirmua dhe nga nëna e Kryemadhit, Fatime Kryemadhi e cila pas daljes nga Prokuroria e Posaçme tha për mediat se është pyetur në lidhje me këtë çështje.
Fatime Kryemadhi ka deklaruar se të gjitha transaksionet janë kryer me bankë. Teksa theksoi se nuk ka qenë ndonjëherë pronare kompanie dhe se në telefonin e sekuestruar nuk ka asgjë.
“Të gjitha transaksionet janë kryer me bankë. Unë kam ndihmuar gjithmonë vajzën time. Jam krenare për vajzën, e di nga e kam. Kjo histori ka nisur që kur vajza ime ka nisur të merret me djegësat. Unë nuk kam kompani 5D apo 8D. Kjo histori është politike. Dhashë sqarime për shtëpinë që kam, se skam qenë pa shtëpi unë. Më thonë që me një pension 160 mijë si u bëre me shtëpi, unë s’kam qenë pa shtëpi. Telefoni im nuk ka asnjë gjë, s’kam bërë tendera”, ka thënë në dëshminë e saj Fatime Kryemadhi, nëna e deputetes Monika Kryemadhi.
Kujtojmë që në shkurt të këtij viti SPAK ka sekuestruar një celular në shtëpinë e nënës së Monika Kryemadhi, i cili është zbërthyer nga ekspertët dhe aty janë zbuluar shumë biseda, të cilat janë duke u parë dhe verifikuar nga hetuesit e BKH dhe prokurorët e çështjes. Ato konsiderohen si një provë shumë e rëndësishme për hetuesit.