100 të burgosur në burgun e Drenovës pas miratimit të amnistisë përfitojnë lirinë e tyre si dhe ulje dënimi. 50 të burgosur për vepra të ndryshme penale falë kësaj amnistie do të lënë qelitë e burgut të Drenovës, ndërkohë që 50 të tjerë do të kenë ulje dënimi për kohën e mbetur.
Ata janë të dënuar për trafikim të lëndëve narkotike, dhënie e ndihmës së paligjshme për kalim të kufirit, vjedhje si dhe vepra të tjera penale.
Për të gjithë personat që përfitojnë nga amnistia drejtoria e burgut të Drenovës ka bërë gati dosjet e tyre dhe ja ka paraqitur ministrisë së linjës
Amnistia Penale u miratua një ditë më parë në Parlament, me 110 vota pro. Amendamentet e Gazment Bardhit u miratuan, ndërsa u rrëzuan amendamentet e Enkelejd Alibeajt.
Projektligji i amnistisë penale u bë mollë sherri në Kuvend mes Partisë Demokratike zyrtare, Rithemelimit dhe qeverisë. Enkelejd Alibeaj dhe Lulzim Basha e quajtën draftin e dakordësuar mes Rithemelimit dhe PS-së si pazar.
Por Gazment Bardhi dhe ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja dhanë garanci se asnjë prej subjekteve të SPAK dhe Gjykata e Posaçme nuk do përfitojë.
“Nga kjo amnisti përfitojnë 1100 të dënuar me burgim, nga të cilët 700 do të lirohen menjëherë sapo ligji të hyjë në fuqi, ndërsa 400 të tjerë përfitojnë ulje dënimi. 2700 persona në shërbim prove do të jenë përfituesit nga kjo amnisti. Dua të jem i qartë dhe i drejtpërdrejtë, nga kjo amnisti nuk do të përfitojnë personat e dënuar me burgim të përjetshëm, që i shmangen drejtësisë dhe nuk përfitojnë as nga amnistia por as ulje dënimi personat e dënuar nga GJKKO. Do të përfitojnë personat të cilëve iu ka marrë formë të prerë vendimi deri në datën 31.03.2024, dhe ky është shtyrja e afatit e marrjes së formës së prerë të vendimit sigurisht është pjesë e amendamentit të propozuar nga zoti Bardhi. Po ashtu nga varianti fillestar i amnistisë së miratuar në komisionin e Ligjeve, përfitojnë të dënuarit burra që iu kanë mbetur pa vuajtur më pak se 4 vjet ose që janë dënuar deri në 4 vjet, të dënuarat gra me vendim të formës së prerë deri në 5 ose që iu kanë ngelur pa vuajtur 5 vjet nga dënimi”, tha ministri Manja.