MENU
klinika

Nga Artur Ajazi

Nuk të jep fitore “vula”e partisë

02.04.2024 - 15:30

Ka 2 vjet që Rithemelimi justifikohet me argumentin se “vula mban peng fitoren tonë mbi qeverisjes Rama”. Madje thonë se “sapo të marrim vulë, do rrëzojmë qeverinë”. Kjo dhe mjaft broçkulla të tjera, janë bërë objekt i fjalimeve dhe ligjeratave nga rithemeluesit dhe shpura e tyre në rrugica, oborre selish, parlament, bulevarde, dhe takime “gju më gju me popullin”. Pra i bie që, “vula qenkësh sekreti dhe pika kyçe, nga ku varet fitorja e Berishës, dhe humbja e Ramës”.

Në keni dëgjuar gjëkundi budallallëk më të madh se ky, hajde ta bëjmë pastaj skenar seriali filmik. Nuk të jep vula dhe flamuri partisë as fitoren, as humbjen, por ta jep konkurrenca e ndershme, vota e lirë, programi politik ambicios që një parti apo lider shpalos para mbeshtetësve dhe bazës së asaj force politike. Nuk të jep vula fitoren në zgjedhjet brënda partisë, apo në zgjedhjet vendore apo parlamentare.

Në fushata zgjedhore, qoftë edhe një individ mund të dalë ballazi para çdo force politike, dhe ta mposhtë atë me argumente dhe premtime reale. Nuk të jep vula fitoren, kur ke 1001 probleme brënda “familjes tënde politike”, dhe kur nuk mbledh dot njerëzit rreth teje. Nuk të jep vula fitoren në zgjedhje, kur ti edhe me “vulë” ke humbur nja 7 palë zgjedhje, dhe je rrudhur aq shumë sa nuk mbledh dot as çerekun e çerekut të partisë në bulevarde. Por tanimë problemi i “vulës, firmës, simboleve”, është kthyer në pretekst, në teatër dhe komedi brënda asaj force politike.

Po të isha si Basha, do t’ja jepja vulën Rithemelimit, dhe nuk do të zhgënjehesha, pasi në 2025 humbja e tyre do të ishte më e madhe se 4 vite më parë. Pse ndodh kjo?

Për 1001 arsye, por më kryesorja mbetet, mungesa e argumenteve për të bindur shumicën brënda partisë, pasi nuk bëhet fjalë për shumicën e shqiptareve. Duke e kthyer në problem madhor, apo dhe “kauzë” të partisë, ndoshta kreu i Rithemelimit ka menduar se, problemi vulës do të zgjasë pa fund, madje edhe për të justifikuar humbjen e rradhës. Duhet një shkak, për ti thënë demokratëve në 2025 se “ja humbëm sërish, sepse Edi Rama nuk na dha vulën e partisë”.

Ndaj, si me vulë, dhe pa vulë, mendoj se fatin e fitores apo humbjes e vendosin të tjerë faktorë bindës, sidomos në fushata elektorale, ku shpalosja programeve dhe alternativave, nuk ka nevojë për skenarë dhe “spërdredhje” të tepërt. Vota merret duke i bindur njerëzit, dhe jo duke i mashtruar ata me mllefet ndaj kundërshtarit politik.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN