Pas rritjes së pagave me 30% në vitin 2022 dhe me 7% në vitin 2023, një tjetër rritje e konsiderueshme deri në 22% do të bëhet realitet këtë korrik dhe madje ky trend do vijojë, për të gjithë ushtarakët e Forcave të Armatosura. Lajmin e ka zbuluar dje kryeministri Edi Rama gjatë fjalës së tij në ceremoninë e inaugurimit të qendrës së re të Inovacionit, Sigurisë e Mbrojtjes, teksa theksoi se pagat për Forcat e Armatosura do të rriten çdo vit. “Për herë të parë në trendin historik pagat e Forcave tona të Armatosura rriten çdo vit, sikundër e kemi premtuar dhe do të rriten përsëri këtë vit në mënyrë përsëri të ndjeshme, sepse qëllimi ynë nuk është thjeshtë, dhe kjo është një pjesë e tij pa diskutim që ne të kemi një trupë ushtarake të financuar dhe të paguar individualisht për çdo efektiv të saj në mesataren e vendeve NATO-s, gjë që jemi duke e synuar çdo vit dhe praktikisht sot, ndryshe nga jo shumë vite më parë, ne kemi një ushtri që në aspektin e pagave është në nivelin A të rajonit”, deklaroi ai.
Investimi për të ardhmen e ushtrisë
Ndërkohë kryeministri Edi Rama theksoi se vendimi i qeverisë për të mbështetur financiarisht ushtrinë është një suport për atë që duam të kemi nesër. “Dhe patjetër që duke parë këtë bërthamë kaq premtuese, vjen natyrshëm edhe nevoja për të rritur motivimin financiar të studentëve të Akademisë së Mbrojtjes, për të rritur motivimin financiar të nxënësve që e shikojnë mundësinë e një perspektivë në Forcat tona të Armatosura, dhe për më tepër për të gjithë ata studentë, qofshin në sistemin e mbrojtës, apo qofshin në sistemin e përgjithshëm universitar, që kanë diçka për t’i dhënë këtij vendi në këtë aspekt dhe që do t’i referohen kësaj qendre inovacioni së bashku me Agjencinë e Inovacionit të Ekselencës që do të jetë pranë saj, ne natyrshëm duhet të marrim masat tona edhe për motivimin financiar të tyre dhe nëse për ushtrinë në tërësi ky është një investim, për çka ushtria i garanton vendit në të përditshmen e vet për këtë pjesë të sistemit që ka të bëjë me inovacionin, ky është një investim, i cili do të mjaftonte një nga shumë e shumë përpjekjet që do të bëhen këtu për të pasur një sukses përtej kufijve të Shqipërisë për të mbuluar të gjithë shpenzimet tona”, u shpreh ai.
Paralajmërimi
Por rritja e pagave për ushtarakët nuk është më tabu. Më herët nëpërmjet një postimi të bërë në “Facebook”, kreu i qeverisë theksoi se pas rritjes së pagave me 30% në vitin 2022 dhe me 7% këtë vit, një tjetër rritje e konsiderueshme deri në 22% do të bëhet realitet në 2024, për të gjithë ushtarakët e Forcave të Armatosura të vendit. “Një ftesë për të gjithë të rinjtë e të rejat, që ta shohin si një mundësi të re për veten, familjen po edhe atdheun, afrimin e tyre me Forcat e Armatosura të Republikës sonë. Pas rritjes së pagave me 30% në vitin 2022 dhe me 7% këtë vit, një tjetër rritje e konsiderueshme deri në 22% do të bëhet realitet në 2024, për të gjithë ushtarakët e Forcave të Armatosura të Shqipërisë. Respekt për punën e vajzave dhe djemve në uniformë, pjesë e vijës së parë të frontit në mbrojtje të territorit të vendit”, shkroi disa javë më parë kryeministri Edi Rama.