MENU
klinika

Skuadrat e derbit të sotëm

Partizani-Tirana\ Ekipet vlejnë 11 milionë euro!

28.04.2024 - 17:58

Partizani do të mbyllë sot përgatitjet për derbin kundër Tiranës, nesër në orën 19:00 në stadiumin “Air Albania”. Klubi i kuq gjatë kësaj jave ka vendosur të heshtë, duke mos dhënë asnjë deklaratë publike për mediat, si dhe duke mbyllur të gjitha stërvitjet.

Fitorja kundër Dinamos ishte një sinjal i mirë, por kaq nuk mjafton. Drejtuesit duan minimalisht vendin e dytë, që shihet si një objektiv i kapshëm, por që kalon nga derbi. Një barazim do të ishte rezultat i pranueshëm, teksa fitorja do të ishte përmbyllja e një mbrëmjeje perfekte dhe nisja e “sprintit” për te titulli kampion.
MILIONAT – Të kuqtë janë aktualisht skuadra më e shtrenjtë e Kategorisë Superiore me një vlerë prej plot 6.45 milionë eurosh në merkato. Ata kanë edhe lojtarin më të shtrenjtë të kampionatit, Arinaldo Rrapajn, që sipas “Transfermarkt” kushton 650 mijë euro. Tirana ka humbur potencial gjatë rrugës në këtë aspekt dhe vlerësohet si skuadra e tretë për nga vlera e lojtarëve. Lojtarët e Erbim Fagut kushtojnë në total 4.25 milionë euro, teksa më i shtrenjti mes tyre vlerësohet Ardit Deliu, 300 mijë euro. Në numra ka diferenca, por ndodh shpesh që në fushë të shuhet gjithçka. Të dielën zbresin në “Air Albania” rreth 11 milionë euro.
PLANI I SHEHIT – Mungesa e vetme për ndeshjen e nesërme është ajo e David Atanaskoskit, duke pasur parasysh se Bytyçi mungon që nga nëntori dhe i duhet ende kohë për rikuperim. Maqedonasi u ndëshkua me karton të verdhë kundër Dinamos dhe plotësoi numrin e katër ndëshkimeve duke u pezulluar për derbin. Në kampin e kuq rrezikonin edhe pesë lojtarë të tjerë, por ia dolën të mos ndëshkohen dhe të jenë të gatshëm për Tiranën.

Është ndoshta hera e parë që Shehi e ka kaq të pastër listën e dëmtimeve dhe ka shansin që në “Air Albania” të aktivizojë formacionin ideal. Në mbrojtje pritet të luajë Buxhelaj në vend të Atanaskoskit. Mesfusha nuk pritet të ndryshojë me treshen e zakonshme, teksa në sulm dilemat nuk mungojnë. Shanset janë që të rikthehet Skuka titullar dhe të ulet në stol një mes Mba dhe Bintsukës. Cara duket i sigurt në 11-she, nisur nga fakti që është anësori i vetëm “bio”.