Mitsotakis strategji me Fredi Belerin, kandidimi i tij për efekt votash…
Kandidimi i Fredi Belerit për eurodeputet ka trazuar ujërat në politikën greke. Partitë opozitare kanë dalë kundër Demokracisë së Re të kryeministrit Mitsotakis, teksa debati është ndezur nga një tjetër kandidate e tij, Evi Kristofilopoulos.
Kjo e fundit ka pranuar në një intervistë se Beleri u kandiduar për të mos lejuar rrjedhjen e votave te ekstremi i djathtë. Me pak fjalë ajo ka konfirmuar se kryeministrit grek nuk i “digjet barku” për kryebashkiakuan e zgjedhur të Himarës, por e ka strategji votash.
Kaq është dashur dhe menjëherë kanë reaguar përfaqësues të SYRIZA dhe PASOK. Sipas tyre, kryeministri bën pazar me kandidatët.
“Pranimi i kandidates për eurodeputete të ND, Evi Christofilopoulos, se Kyriakos Mitsotakis zgjodhi të vendosë Fredi Belerin në fletën evropiane të partisë së tij për të ndalur rrjedhjet e votave te ekstremi i djathtë, konfirmon aventurizmin me të cilin lëviz lideri i saj edhe në çështjet e ndjeshme kombëtare”, thekson SYRIZA në një deklaratë.
“Siç tha ajo, kandidatura e At Beleris synon të integrojë të djathtën ekstreme, të cilën ajo e kishte denoncuar pak minuta më parë si një forcë politike të “populizmit dhe toksicitetit” që kërcënon godinën europiane në tërësi”, theksohet më tej.
Në të njëjtën linjë ka qenë edhe PASOK: “Gjatë intervistës së saj televizive, Evi Christofilopoulou “dëshmoi” atë për të cilën denoncuam zotin Mitsotakis që në momentin e parë: se motivet e kandidimit të kryetarit të komunës së Himarës, zotit Fredi Beleri, nuk janë as kombëtare dhe as europiane, por vetëm gjueti për vota”.
Fredi Beleri ishte një kandidaturë e çuditshme nga ana e Mitsotakis. Ai është në burg dhe është i dënuar me 2 vite heqje lirie. Kandidimi i tij ishte provokim i pastër kundër qeverisë shqiptare. Ndërkohë interesant është fakti se në maj kryeministri Rama do të shkojë në Greqi dhe do të shihet nëse do ta presë dikush nga qeveria vendase.