Fluksi i Investimeve të Huaja Direkte në vendin tonë për vitin që lamë pas fiksohet pranë 1.5 miliardë eurove, ndërsa fitimet e investitorëve të huaj në Shqipëri kanë arritur rekordin historik duke prekur vlerën e 1 miliardë eurove. Sipas të dhënave të publikuara në bilancin e Bankës së Shqipërisë rezulton se investitorët e huaj fituan 14.6% më shumë se një vit më parë dhe 72% më shumë se gjatë vitit të pandemisë globale.
‘’Scan Intel’’ ka analizuar të dhënat për të kuptuar sesa kanë tërhequr investitorët nga investimet e portofolit (kjo shumë mund të shpërndahet në formën e dividentit apo yield-it). Për të llogaritur shumën e tërhequr mjafton që nga të ardhurat totale të investimeve të zbriten fitimet e riinvestuara. Pas përllogaritjeve, konkludojmë se vetëm në vitin 2023 investitorët e huaj tërhoqën më shumë se 211 milionë euro, ose 37% më shumë se vitin e kaluar.
Në të kundërt, të ardhurat e ekonomisë shqiptare nga investimet e bëra jashtë vendit në vitin 2023 arritën në 200 milionë euro, ose 60 milionë euro më shumë se në vitin 2022. Ndërsa bilanci neto i të ardhurave nga investimet rezulton të jetë me deficit prej 813 milionë eurosh. Kjo ndodh sepse pesha e investimeve të Shqipërisë jashtë vendit është shumë më e vogël krahasuar me investimet që të huajt bëjnë në vendin tonë.
Por, cila është origjina e investitorëve kryesorë në Shqipëri dhe në cilët sektorë po investohet më shumë?
Nëse analizojmë të dhënat e Investimeve të Huaja Direkte sipas shteteve, rezulton se Holanda dhe Italia vijojnë të qëndrojnë në vend të parë në terma fluksesh edhe gjatë vitit 2023. Krahasuar me një vit më parë, shifrat tregojnë se Holanda e ka rritur prezencën e saj në tregun shqiptar me 10%, ndërsa Italia me 49%. Konkretisht investimet nga Holanda regjistrohen pranë 241 milionë eurove dhe ato nga Italia pranë 203 milionë eurove. Renditja vijon me Gjermaninë me rreth 179 milionë dhe me Austrinë me rreth 119 milionë euro. Shtetet e tjera të origjinës së investimeve të huaja në vendin tonë ndjekin me diferenca të mëdha me vendet e para të listës.
Ndërsa përsa i përket sektorëve investitorët e huaj janë përqëndruar kryesisht në aktivitetet e pasurive të paluajtshme, industrisë nxjerrëse dhe aktiviteteve financiare e të sigurimit. Gjatë vitit 2023 në sektorin e ndërtimit u investuan 325 milionë euro, ndërsa në industri dhe aktivitetet financiare investitorët e huaj angazhuan përkatësisht 270 milionë euro dhe 239 milionë euro.
Armela Duka/SCAN