Presidenti i Republikës, Bajram Begaj ka dënuar sulmin e Iranit në Izrael, që siç thotë ai është i paprecedentë.
Me shpresën që nuk do të përshkallëzohet, Presidenti thotë se nëse vazhdon do të mund të rrezikojë paqen dhe sigurinë në Lindjen e Mesme dhe të ketë efekte të pakthyeshme në një shkallë më të gjerë.
“Shqipëria dënon ashpër sulmin e paprecedentë të Iranit ndaj Izraelit dhe shpreh shpresën se nuk do të ketë përshkallëzim të mëtejshëm. Çdo përshkallëzim i mëtejshëm mund të rrezikojë paqen dhe sigurinë në Lindjen e Mesme dhe të ketë efekte të pakthyeshme në një shkallë më të gjerë”, shkruan në rrjetet sociale, Presidenti Begaj.
Mbremjen e djeshme Garda Revolucionare Islamike e Iranit tha se lëshoi dhjetëra dronë dhe raketa drejt Izraelit të shtunën vonë, një sulm që mund të shkaktojë një përshkallëzim madhorë mes rivalëve rajonalë, ndërsa Shtetet e Bashkuara thanë se mbështetja për Izraelin do të jetë e palëkundur. Ushtria izraelite tha se do të duheshin disa orë që mbi 100 dronët të arrinin tek objektivat e tyre.