MENU
klinika

Organizuan protestën para Bashkisë së Tiranës

Procedohen penalisht Tedi Blushi dhe Klevis Balliu

20.04.2024 - 12:30

Policia ka proceduar në gjendje të lirë anëtarin e Këshillit Bashkiak të Tiranës, Tedi Blushin dhe ish-deputetin, Klevis Balliu, pas protestës së djeshme ku u hodhën bomba molotov në drejtim të godinës së Bashkisë.

Ndërkohë në prangat e policisë kanë rënë tre persona, përkatësish dy 18-vjeçarët me iniciale K. V., dhe B. M., për përdorim të molotovit, si edhe shtetasi me iniciale F. K., banues në Lushnjë., për ushtrim dhune ndaj efektivëve.

Gjithashtu po punohet për identifikimin dhe kapjen e 9 të tjerëve që kanë hedhur molotov.

Policia bën me dije se në momentin që ka marrë fjalën Belind Këlliçi, janë hedhur sende të forta dhe bomba molotov në drejtim të portës hyrëse të Bashkisë Tiranë.

Pas kësaj një grup protestuesish, në drejtimin e Flamur Nokës, Klevis Balliut, Tedi Blushit dhe të personave të tjerë, kanë tentuar të çajnë kordonin e Policisë, në portën tjetër të Bashkisë, nga krahu i sheshit “Skënderbej”, dhe gjatë këtij momenti ka patur konfrontim midis tyre dhe efektivëve.

“Pas përfundimit të protestës janë kryer veprimet procedurale, është këqyrur vendi i ngjarjes, ku janë sekuestruar në cilesinë e provës materiale objekte dhe sende të hedhura në drejtim të Bashkisë Tiranë, të cilat janë dërguar për ekspertime të mëtejshme kriminalistike”, njofton policia.