MENU
klinika

Analiza

Pse Kina është shumë më e rrezikshme se Rusia?

03.04.2024 - 09:30

Larg shmangies së vëmendjes nga kërcënimi kinez, Ukraina na plotëson dhe i forcon përpjekjet shumë më të mëdha që nevojiten për t’u përballur me sfidën e partisë-shtet në Pekin…

Pavendosmëria e turpshme që po vihet re në Berlin, Uashington dhe kryeqytete të tjera perëndimore këto muajt, po shkakton një kosto të madhe njerëzore dhe materiale në Ukrainë. Po ashtu, kjo sjellje po krijon rreziqe të mëdha për të gjithë. Sepse një gjë është e sigurt: Makina ruse e luftës ruse nuk do të ndalet derisa të mposhtet.

Ose Perëndimi do të fitojë me ndihmën e Ukrainës, ose ne do të luftojmë kundër Rusisë diku tjetër pak kohë më vonë, por me kushte shumë më të këqija. Dhe ky skenar është shumë i frikshëm. E megjithatë, kërcënimi që na vjen nga Partia Komuniste Kineze (PKK) është shumë më i madh.

Pasi Rusia po synon kryesisht të rindërtojë një sferë ndikimi në vendet fqinje me të. Është e vërtete që Moska mund të shkaktojë telashe edhe shumë më larg, sidomos në Afrikën Sub-Sahariane. Por në dallim nga paraardhësi i saj, Bashkimi Sovjetik, ajo nuk aspiron dominimin global.

Pasiguritë e përhershme të Bashkimit Sovjetik, iluzionet e tij të madhështisë dhe dëshira për njohje nxitën edhe kërkimin e tij për fuqinë globale (të përshkruara në detaje në një libër që pritet të botohet së shpejti nga historiani rus Sergej Radçenko). Për Rusinë, me 140 milionë banorë dhe një PBB sa ajo e Italisë (2 trilionë dollarë), ambicie të tilla do të ishin fantastike.

Udhëheqja komuniste në Kinë, ashtu si ajo në Kremlin, dëshiron më shumë se çdo gjë tjetër të qëndrojë sa më gjatë në pushtet. Ajo përballet në mënyrë të egër dhe sistematike me kërcënimet e brendshme ndaj sundimit të saj, me një shtet të mbikëqyrjes që ka një aftësi të pashoqe.

Ashtu si Kremlini, edhe PKK synon që të merret me kërcënimet e jashtme. Por këtë e bën në një shkallë shumë më të madhe. Rusia ka pasur disa suksese modeste në armatimin e diasporës së saj, veçanërisht në Gjermani dhe Francë. Por përmes Departamentit të Punës së Frontit të Bashkuar, partia Komuniste e Kinës synon të kontrollojë të gjithë veprimtarinë e diasporës kudo që ajo gjendet.

Për më tepër, nëpërmjet sasive të mëdha të informacioneve personale, të analizuara dhe të renditura nga Inteligjenca Artificiale për të nxjerrë në pah modelet dhe anomalitë, Kina ka fituar njohuri të jashtëzakonshme në lidhje me shoqëritë perëndimore.

Asnjë agjenci qeveritare kombëtare në një vend demokratik, nuk do të mund ta bënte këtë me të dhënat tona personale. Kjo sepse kufizimet politike, ligjore dhe parlamentare janë shumë të mëdha. Por PKK e ka këtë mundësi dhe e bën. Po ashtu, ajo synon vendimmarrjen brenda dhe jashtë qeverisë në një masë shumë më të madhe se sa Kremlini.

Është e vërtetë, që Rusia drejton fushata keqinformimi shumë të gjera, duke synuar të thellojë ndarjet sociale dhe të llojeve të tjera. Ajo mbështet politikanët dhe partitë e preferuara dhe përpiqet të de-motivojë vendet perëndimore që vazhdojnë ta mbështesin Ukrainën.

Por ajo nuk përpiqet të ndikojë tek mënyra se si universitetet mësojnë dhe hulumtojnë mbi çështjet ruse, sesi t’i detyrojë shtëpitë botuese të shmangin temat që ajo nuk i miraton, apo të  kontrollojnë të gjitha shfaqjet e artit publik. Partia Komuniste Kineze i bën të gjitha këto, madje më shumë sesa kaq.

Ajo mund ta bëjë këtë për shkak të madhësisë së saj: 1.4 miliardë njerëz dhe një PBB 18 trilionë dollarë :është ekonomia e dytë më e madhe në botë pas asaj amerikane. Nga ana tjetër Kina është në një kategori të veçantë kur bëhet fjalë për konkurrencën shkencore dhe teknologjike me Perëndimin (përfshirë vjedhjen e pronës intelektuale).

Është e vështirë të mendosh mbi ndonjë fushë ku Rusia është një fuqi shkencore e klasit botëror.

Ajo nuk zë as ndonjë pjesë të rëndësishme në zinxhirin e furnizimit global. Në të kundërt, Kina synon të jetë e para në zhvillimet e Inteligjencës Artificiale, informatikës kuantike, shkencës së materialeve, nanoteknologjinë dhe shumë disiplinave të tjera.

Dalja e saj në krye të teknologjisë së baterive, mineraleve kritike, paneleve diellore dhe makinave elektrike (për të marrë vetëm disa shembuj) është diçka që merret si e mirëqenë se do të ndodhë së shpejti. Ndërkohë prej saj po bien edhe alarmet kibernetike.

Grupi i hakerëve “Volt Typhoon” ka arritur të deportojë në sistemet që drejtojnë infrastrukturën kritike perëndimore, gjë që mund të sjellë pasoja potencialisht katastrofike. Për t’u përballur me këto kërcënime nga partia-shtet e Kinës, Perëndimit do t’i duhet të përgatitet shumë. Ai duhet të garantojë unitetin politik përtej Atlantikut dhe Paqësorit, një vendimmarrje dypartiake brenda vendeve dhe për një periudhë afatgjatë, një tolerancë shumë më të lartë ndaj rrezikut si dhe një kulturë të fortë të sigurisë në qeveri dhe shoqëri.

Muskujt politikë zhvillohen me praktikën. Ballafaqimi me imperializmin e Kremlinit do të jetë mënyra më e mirë për t’i gjeneruar këto aftësi. Pra larg shmangies së vëmendjes nga kërcënimi kinez, Ukraina na plotëson dhe i forcon përpjekjet shumë më të mëdha që nevojiten për t’u përballur me sfidën e partisë-shtet në Pekin.