Kërkesat e Rusisë janë shumë ekstreme që Ukraina nuk mund t’i pranojë, dhe nuk ka gjasa që të zbuten. Putini është i përkushtuar ideologjikisht për të nënshtruar Ukrainën dhe paprekshmëria e tij politike e bën atë pothuajse tërësisht të pandjeshëm ndaj kostove financiare dhe njerëzore të luftës.
Pas më shumë se 2 vitesh luftime, pushtimi rus i Ukrainës është futur në një ngërç të përgjakshëm. Të dyja vendet vazhdojnë të shpenzojnë burime të mëdha për të fituar terren në front, por përparimet e tyre janë të rralla dhe të vogla. Ndonjëherë këto avancime humbasin shpejt. Asnjëra nga palët nuk zotëron burimet e nevojshme për të arritur një fitore vendimtare në fushën e betejës. Dhe që të dyja po pësojnë shumë humbje në njerëz çdo ditë që kalon. Zakonisht studiuesit i përshkruajnë situata të tilla si “ngërçe reciprokisht të dëmshme”, dhe ata përmendin dhe nxisin krijimin e kushteve që i detyrojnë palët të ulen të negociojnë. Nëse aktorëve ndërluftues u mungojnë mjetet për të ndryshuar trajektoren e luftimeve, shpesh ata mendojnë se si mund ta arrijnë këtë me forcë.
Dhe nëse përballen me një ngërç gjithnjë e më të kushtueshëm dhe që zgjat në një mënyrë të papërcaktuar në kohë, ata nisin të marrin në konsideratë lëshime që dikur cilësoheshin si të papëlqyshme. Rezultati mund të jetë një hapësirë negocimi që më parë nuk ekzistonte.
E megjithatë, kjo luftë nuk ka arritur në një fazë ku të jetë i mundur një përfundim i negociuar, qoftë edhe në parim. Sepse për të bërë paqe në një konflikt, të dyja palët duhet të jenë të gatshme të pranojnë kërkesat minimale të njëra-tjetrës. Dhe pavarësisht mungesës së ndërsjellë të progresit në front, as Rusia dhe as Ukraina nuk mund të gëlltisin kërkesat e njëra-tjetrës.
Për shembull, Kievi nuk mund të pranojë kërkesën e Rusisë për një udhëheqje të re. Dhe Moska nuk mund të pranojë kërkesën e Ukrainës për pagimin e dëmeve të shkaktuara nga lufta. Për më tepër të dyja palët nuk do të heqin dorë nga territori që pretendojnë. Asnjë diplomaci kreative nuk mund t’i ndryshojë dot këto fakte.
Në këto kushte, për të dyja vendet lufta mbetet një opsion më i preferueshëm sesa të arrihet tek një zgjidhje. Dhe nëse nuk ka një ndryshim drastik në fushën e betejës apo tek njëra nga qeveritë, ka shumë pak gjasa që të dyja palët të rishikojnë kërkesat e tyre në një periudhë afatgjatë.
Rusët duken të paaftë për të pushtuar tokat që pretendojnë, por Kremlini i ka forcuar pozitat aktuale dhe është i imunizuar nga llojet e presionit politik që do të prodhonte normalisht një luftë e kushtueshme. Ndërkohë ukrainasit nuk mund të heqin dorë nga miliona qytetarë të tyrit që refuzojnë nënshtrimin ndaj Rusisë, teksa mund t’i mbrojnë ende ata duke luftuar.
Kurdo që të përfundojë kjo luftë, nuk ka gjasa që të ndodhë me një marrëveshje kompromisi që i plotëson Rusisë shumë nga kërkesat e saj. Përkundrazi, kjo do të jetë ose sepse Ukraina do të bëhet mjaftueshëm e fortë për të marrë kontrollin e tokave të pushtuara dhe do të ketë aftësinë për ta penguar Rusinë nga përpjekjet për t’i rifituar ato.
Ose pasi Kremlini të dominojë më shumë në fushën e betejës, dhe burimet e Ukrainës do të mjaftojnë vetëm për të mbrojtur pavarësinë e territorit të mbetur pa pushtuar. Lufta është një akt i ndërsjelltë. Njëra palë mund të nisë në mënyrë të njëanshme armiqësinë, siç bëri Rusia, por lufta nuk do të ndodhte nëse pala tjetër nuk zgjedh të luftojë.
Kjo zgjedhje bazohet tek besimi se lufta do të sjellë një rezultat më të mirë se sa ajo çka është e gatshme të ofrojë pala tjetër. Edhe paqja është reciproke. Të dyja palët duhet të pajtohen me kushtet e ofruara. Përndryshe, ato do të vazhdojnë të luftojnë. Që një grup të marrë në konsideratë një marrëveshje paqeje, kushtet e saj nuk mund të jenë më të këqija se sa të atij që pret të fitojë duke luftuar.
Kur Rusia nisi pushtimin e Ukrainës, kishte 4 synime kryesore. I pari ishte pushtimi i territorit. Edhe pse nuk i shprehu plotësisht ambiciet e saj territoriale, referencat e presidentit rus Vladimir Putin për idenë perandorake të Novorossiya, ose “Rusinë e Re”, u dhanë mundësinë analistëve të kuptonin se çfarë dëshironte Kremlini.
Dhe Novorossiya përfshin provincat ukrainase të Donetsk, Kharkiv, Kherson, Luhansk, Mykolaiv, Odessa dhe Zaporizhzhia, pra gati të gjithë Ukrainën. Pushtimi i këtyre provincave do të krijonte një urë tokësore në Gadishullin e Krimesë dhe në enklavën pro-ruse moldave Transnistria. Po ashtu, do ta privonte Ukrainën nga dalja në Detin Azov dhe Detin e Zi.
Synimi i dytë ishte ai që Rusia e quajti “de-nazifikim”, që nënkuptonte ndryshimin e regjimit. Kremlini donte të rrëzonte qeverinë e zgjedhur në mënyrë demokratike të presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky dhe ta zëvendësonte atë me një qeveri miqësore me Moskën.
Qëllimi i tretë ishte çmilitarizimi. Kjo nënkuptonte zvogëlimin e ushtrisë ukrainase, deri në përmasën që do të ishte pothuajse e pavlefshme, përfshirë vendosjen e kufizimeve mbi numrin dhe llojin e armëve që mund të përdorte Ukraina. Dhe kjo lidhej me qëllimin e katërt dhe përfundimtar të Moskës: neutralitetin. Rusia donte të ndalonte Ukrainën të anëtarësohej në NATO apo të synojë integrimin politik ose ekonomik me Bashkimin Evropian.
Kolektivisht, këto katër qëllime do të arriheshin me copëtimin dhe nënshtrimin e Ukrainës. Më shumë se 1/3 e territorit të saj dhe rreth gjysma e popullsisë së saj do të aneksoheshin zyrtarisht nga Rusia. Ndërsa shteti i cunguar dhe pa dalje në det do t’i nënshtrohej Moskës, i qeverisur nga një regjim kukull, të cilit do t’i mungonte çdo lloj mjeti për t’iu kundërvënë diktatit rus.
Duke humbur rreth 2/3 e PBB-së së paraluftës, vendi do të ishte pothuajse tërësisht i varur nga Rusia për mbijetesën e tij ekonomike. Pavarësisht këtyre kërkesave groteske, Kievi pranoi të negocionte me Rusinë gjatë ditëve të para të pushtimit, kur sulmi i shpejtë i Moskës kërcënoi të mposhtte me shpejtësi forcat e armatosura ukrainase.
Madje, Ukraina ishte gati të ofronte lëshime të rëndësishme. Ajo ra dakord të shpallej një shtet neutral dhe të qëndronte e paangazhuar ushtarakisht, me kushtin që Rusia të tërhiqej nga vendi dhe që anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së (së bashku me Kanadanë, Gjermaninë, Izraelin, Italinë, Poloninë dhe Turqinë) t’i jepnin garanci ndërkombëtare për sigurinë dhe të mbështesnin anëtarësimin e saj në BE.
Por ato bisedime dështuan shumë shpejt. Ofertat e Kievit as që i afroheshin kërkesave maksimaliste të Putinit, dhe Ukraina ishte në gjendje të ndalte përparimet e ushtrisë ruse.
Më 1 prill 2022, pasi Rusia u tërhoq nga periferitë në veri të Kievit, ukrainasit zbuluan provat e para të mizorive të kryera nga rusët në territorin e pushtuar, duke tronditur botën dhe duke e bërë të qartë se çfarë do të bënte Moska me ukrainasit nën sundimin e saj.
Këto fakte e forcuan vendosmërinë e Kievit për të mos ofruar më lëshime territoriale dhe për të luftuar për të mbrojtur çdo pëllëmbë të vendit të tyre. Vendosmëria e Kievit u forcua edhe më shumë kur në verën dhe vjeshtën e vitit 2022, nisi një kundërofensivë që i detyroi rusët të tërhiqeshin nga provinca e Kharkiv dhe qyteti Kherson.
Ai sukses e forcoi edhe mbështetjen ndërkombëtare për Ukrainën, pasi qeveritë e huaja nisën të besonin se vendi mund të luftonte. Madje ato fitore e shtynë Kievin të rriste ambiciet e tij. Qeveria premtoi me zë të lartë se do të çlironte të gjithë territorin ukrainas, përfshirë territorin e marrë nga Rusia në vitin 2014, teksa kërkoi edhe dëmshpërblime.
Por Kremlini i ruajti qëllimet e tij fillestare. Në vend se të zvogëlonte synimet e saj, Rusia reagoi ndaj pengesave duke urdhëruar një mobilizim masiv të njerëzve dhe materialeve, duke shpresuar të përmirësonte situatën e saj në front. Dhe në fakt ia doli. Moska humbi mijëra ushtarë, por pushtoi qytetin ukrainas Bakhmut në majin e vitit të kaluar, duke treguar gatishmërinë e saj për t`u përballuar edhe duke pasur kosto të paimagjinueshme.
Kundërofensiva e 2023-shit e Kievit dështoi për të çliruar më shumë territore. Por megjithëse Ukraina ka pasur vështirësi, Moska nuk ka bërë shumë më mirë. Ajo pushtoi së fundmi qytetin ukrainas Avdiivka, po nuk ka arritur të regjistrojë përfitime reale diku tjetër. Ajo ka vazhduar të pësojë humbje të mëdha, duke humbur më shumë se 16.000 ushtarë vetëm në Avdiivka. Shumë nga anijet e saj në Detin e Zi janë shkatërruar nga dronët dhe raketat ukrainase. Në përgjigje të betejave të tyre, të dyja vendet po mobilizojnë qindra mijëra ushtarë. Por edhe kështu, asnjëri nuk duket se ka ndonjë perspektivë për përparime të rëndësishme në fushën e betejës. Por nga ana tjetër ka shumë pak gjasa që të dyja palët të arrijnë një marrëveshje.
Kërkesat e Rusisë janë shumë ekstreme që Ukraina nuk mund t’i pranojë, dhe nuk ka gjasa që të zbuten. Putini është i përkushtuar ideologjikisht për të nënshtruar Ukrainën dhe paprekshmëria e tij politike e bën atë pothuajse tërësisht të pandjeshëm ndaj kostove financiare dhe njerëzore të luftës.
Gjithsesi është e pamundur të përjashtohet plotësisht një marrëveshje ruso-ukrainase. Pavarësisht asaj që thonë në publik, Putin dhe Zelensky mund të jenë privatisht të gatshëm të kënaqen me më pak se sa pretendojnë. Edhe ngjarjet në terren mund t’i nxisin të dy shtetet të rishqyrtojnë qëndrimet e tyre.
Për shembull, humbjet e mëdha në ushtarë nga pala ruse, mund të çojnë në rebelime dhe nëse lufta vazhdon kështu për një kohë të gjatë, dhe një grusht shteti në Kremlin mund të vendosë një udhëheqje më të përshtatshme. Ndërkaq, një përpjekje e Ukrainës për të mobilizuar qindra mijëra trupa të reja mund të çojë në një rënie të ndjeshme të mbështetjes për luftën, gjë që mund ta bëjë qeverinë më të gatshme për lëshime territoriale.
Por rezultate të tilla janë të pamundura të shihet për momentin. Sepse si Kievi, ashtu edhe Moska kanë qenë jashtëzakonisht të qëndrueshëm në përsëritjen e kërkesave të tyre kryesore dhe asnjë nga palët nuk ka hequr dorë nga premtimet për fitore absolute. Ata po forcojnë prej kohësh pozitat aktuale në front. Në këto kushte, rezultati më i mundshëm është lufta e vazhdueshme.
Rusia mund të fitojë kontrollin e disa territoreve të Ukrainës, por Kievi do të mbetet i pavarur, ashtu si edhe pjesa më e madhe e vendit. Prandaj, regjimi rus do të mbetet i pakënaqur me kufijtë e tij, ashtu siç ka qenë që nga viti 1991. Ai do të vazhdojë të jetë një shtet revizionist i prirur për të zgjeruar territorin e tij, edhe me forcë nëse është e nevojshme. Prandaj, çdo paqe e qëndrueshme duhet të bazohet tek parandalimi dhe jo tek kënaqësia me status quo-në.