Nuk është sekret se Bjellorusia dhe diktatori i saj Alexander Lukashenko “mbahen gjallë” nga regjimi rus dhe presidenti Vladimir Putin. Vendi financohet dhe mbahet në këmbë nga Moska, ndërkohë që në të njëjtën kohë është në një rrugë përplasjeje me Bashkimin Evropian. Pazari faustian i Aleksandër Lukashenkos me Vladimir Putinin pas pushtimit në shkallë të plotë të Ukrainës nga Rusia, e ka bërë Bjellorusinë “të ngecë” në një post të thjeshtë garnizoni dhe një bashkëluftëtari të pavullnetshëm të “vëllait të madh”, Rusisë në këtë luftë. I zhytur prej kohësh në famën e të qenit “diktatori i fundit i Evropës”, presidenti karikaturist bjellorus tani duket se është i gatshëm madje të marrë përsipër rreziqe të mëdha, duke kërcënuar haptazi Evropën. Ditët e fundit “kambanat e alarmit” po bien në Evropën Lindore, ku Bjellorusia ka nisur stërvitjet ushtarake pranë kufijve të Polonisë, Lituanisë dhe Ukrainës. Aleksandër Lukashenko ka deklaruar ndërkohë se Minsku po përgatitet për luftë. “Nëse doni paqe, përgatituni për luftë”, tha presidenti bjellorus, duke shtuar se Bjellorusia “nuk ka nevojë të kërcënojë askënd”.
Stërvitjet e Bjellorusisë
Manovrat e paralajmëruara nga Bjellorusia do të vazhdojnë për tre ditë dhe do të përfshijnë rajonet Gomel dhe Grodno. Qëllimi i tyre deklarohet se është thjesht të trajnojnë oficerët dhe trupat e mbrojtjes territoriale se si të mbrojnë fushat e tyre përkatëse të ekspertizës. Ushtarët e përfshirë do të mësojnë gjithashtu procedurën që do të duhet të ndjekin nëse në vend vendoset ligji ushtarak. “Një stërvitje komanduese dhe shtabi po zhvillohet me brigadën 336 të artilerisë reaktive si pjesë e forcimit të kontrollit të gatishmërisë luftarake të formacioneve ushtarake dhe njësive të Forcave të Armatosura të Republikës së Bjellorusisë,” tha Ministria e Mbrojtjes e Minskut. Stërvitjet në fjalë zhvillohen nën mbikëqyrjen e kreut të trupave raketore dhe artilerisë së Forcave të Armatosura. Marrëdhëniet e Bjellorusisë me vendet perëndimore janë përkeqësuar vitet e fundit, veçanërisht pasi vendi lejoi Rusinë të përdorte territorin e saj për të nisur një sulm ndaj Kievit.
Kërcënimet e Lukashenkos
Në shkurt 2023, Lukashenko tha se autoritetet bjelloruse do të ishin gati të ofronin territorin e tyre për një ofensivë të re të mundshme nga trupat ruse në Ukrainë dhe paralajmëroi për gatishmërinë e tyre për t’u përfshirë në një konflikt. Gjithashtu në vitin 2023, Rusia dhe Bjellorusia kishin rënë dakord të vendosnin armë bërthamore taktike ruse në tokën bjelloruse. Vladimir Putin e kishte bërë të qartë se kjo lëvizje nuk do të shkelte Traktatin për Mospërhapjen e Armëve Bërthamore. Javën e kaluar, Lituania, shtetet baltike të Bashkimit Evropian dhe NATO protestuan kundër deklaratave të Lukashenkos, i cili kishte folur për një sulm të mundshëm ushtarak kundër vendeve fqinje. Një video e shpërndarë në Telegram e tregoi atë duke folur se si ushtria bjelloruse do të ishte gati të sulmonte pjesë të Polonisë ose Lituanisë nëse ishte e nevojshme. Në qendër të vëmendjes është Korridori Suwalki i cili kalon midis dy shteteve të BE-së dhe NATO-s që kufizojnë enklavën ruse të Detit Baltik të Kaliningradit dhe Bjellorusisë.
BE në gatishmëri
Deklaratat e Lukashenkos aludonin për paqëndrueshmërinë e korridorit të përmendur Suwalki dhe përmbanin udhëzime për të organizuar një përplasje të mundshme me shtetet baltike dhe Poloninë.Zëdhënësi i Politikës së Jashtme të BE-së, Peter Stano, u përgjigj në mënyrë emblematike: “Bashkimi Evropian përbën një kërcënim vetëm për ata që përçmojnë demokracinë, të drejtat e njeriut, të drejtat e qytetarëve dhe respektimin e rregullave dhe ligjit ndërkombëtar në marrëdhëniet ndërkombëtare. BE nuk është një aleancë agresive. Jo. Duhet t’i kesh frikë, vetëm ata që kërkojnë të minojnë respektin për rregullat ndërkombëtare dhe për demokracinë dhe të drejtat e njeriut.” “Ne po punojmë për ta bërë Evropën të gatshme për t’u përballur me të gjitha kërcënimet që vijnë nga njerëz si Lukashenko”, shtoi ai.