MENU
klinika

Vlorë

Qëlloi me kallashnikov në ajër, arrestohet 42-vjeçari

05.04.2024 - 12:59

Një 42-vjeçar është vënë në pranga nga policia pasi ditën e djeshme dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri kallashnikov në Karaburun, në afërsi të stanit të tij duke rrezikuar jetën e banorëve.

‘Finalizohet nga shërbimet e Stacionit të Policisë Orikum, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Vlorë dhe Delta Force, operacioni policor i koduar “Strike 9”, për goditjen e një rasti të armëmbajtjes pa leje.
Vihet në pranga një 42-vjeçar që qëlloi me armë zjarri në ajër, në Karaburun, duke rrezikuar banorët e zonës.’, thuhet në njoftimin e policisë.

A.J., banues në Dukat qëlloi në ajër me kallashnikov në Karaburun në vendin e quajtur ‘Gallolec’. Policia pas njoftimit organizoi operacionin ‘Strike 9’ në kuadër të të cilit u arrestua 42-vjeçari në flagrancë. Gjithashtu u sekuestrua edhe arma e zjarrit kallashnikov, e cila u gjet në stanin e të arrestuarit.
‘Ky shtetas dyshohet se ditën e djeshme, ka qëlluar me armë zjarri kallashnikov, në Karaburun, në afërsi të stanit të tij, duke rrezikuar banorët e zonës. Shërbimet e Policisë gjatë kontrollit në këtë zonë kanë gjetur të fshehur dhe kanë sekuestruar në cilësinë e provës materiale armën e zjarrit kallashnikov, një krehër dhe municion luftarak.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme.’, thuhet më tej në njoftimin e policisë.