MENU
klinika

Situata në akset rrugore

“Rikthehet” dimri, dëbora zbardh veriun e juglindjen

21.04.2024 - 13:33

Vijon moti i paqëndrueshëm në vend për shkak të rrymave Arktike që po ushtrojnë aktivitetin e tyre në Mesdhe. Teksa pjesa më e madhe e territorit të vendit është përfshirë nga reshjet e shiut shoqëruar edhe me rrebeshe, në lartësitë mbi 1000 metër mbi nivelin e detit janë rikthyer reshjet e borës.

Situata është e tillë në aksin Bogë-Theth, ku dy mjete borëpastruese janë në terren për të mbajtur rrugën e hapur. Në këtë aks lëvizet me goma dimërore. Në qarkun Kukës në lartësitë mbi 1 mijë metër mbi nivelin e detit kanë rinisur reshjet e borës. Në Fierzë niveli i ujit ka arritur në 294 m, 2 metër larg nivelit maksimal.

Në Korçë reshjet e shiut në lartësitë mbi 1400 metër i ka lënë vend dëborës, ndërsa nuk raportohen problematika. Në Fushë Arrëz, trashësia e dëborës shkon ne 30 centimetër. Edhe Puka është mbuluar nga dëbora, ku trashësia në qytet shkon deri në 15 centimetra.

Edhe qarku i Elbasani është përfshirë nga reshjet e dendura të shiut, ndërsa zonat malore janë zbardhur nga dëbora. Reshjet më të shumta të dëborës janë regjistruar në Qendrën Administrative të Steblëves në bashkinë e Librazhdit, ku ndodhet edhe Parku Kombëtar i Shebenikut që është zbardhur totalisht, duke ofruar pamje mahnitëse.

Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) bën me dije se mjetet borëpastruese janë në terren dhe po punojnë për pastrimin e rrugës dhe shpërndarjen e kripës. Qarkullimi kryhet pa probleme.

ARRSH këshillon shoferët që të lëvizin me shpejtësi të reduktuar, të përdorin goma dimërore, në zonat me reshje bore, të respektojnë sinjalistikën rrugore, si dhe të ndjekin udhëzimet e Policisë Rrugore.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Pamje të mrekullueshme nga Fushë Struda

FOTO/ Dëbora zbardh edhe zonat malore të Librazhdit