MENU
klinika

Frika nga armët antisatelitore ruse

SHBA kërkon bisedime serioze me Rusinë

06.04.2024 - 21:53

Qeveria amerikane ka nisur bisedimet me Rusinë dhe aleatët për të mos lejuar që Moska të pozicionojë armë bërthamore antisatelitore në hapësirë.

Ndihmëssekretari i Mbrojtjes për politikat hapësinore, Xhon Plamb (o. John Plumb) deklaroi të premten se Uashingtoni po përdor Kombet e Bashkuara dhe vende si Kina apo India që ta bindin Rusinë për të mos i çuar përpara planet për të testuar armën e vet hapësinore.

Sipas z. Plamb, është e “paqartë” nëse presidenti rus Vladimir Putin është bindur për rreziqet që kanosen nga një armë e tillë dhe se Putini është “vendimmarrësi kryesor” për këtë. Zyrtari amerikan shprehu rezervat edhe për traktatin e propozuar ruso-kinez për mosvendosjen e armëve në hapësirë, duke pretenduar se zbatimi i tij nuk është i verifikueshëm.

Por me anë të një deklarate për shtyp, zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Rusisë, Maria Zakarova, u shpreh se disa shtete nuk janë gati për të diskutuar seriozisht rreth çështjes së armëve hapësinore.

“Federata Ruse është gati të përfshihet në një dialog të barabartë me të gjitha vendet për t’i mbajtur armët e çdo lloji larg hapësirës si kusht për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare. Për fat të keq, jo të gjitha vendet janë të vendosura për të pasur një bisedë serioze rreth kësaj.

Kundërshtimi i fortë i projekttraktatit ruso-kinez ka qenë pjesë integrale e kursit të politikës së jashtme amerikane. Komentet e z. Plamb nuk të çudisin,” deklaroi znj. Zakarova.

Presidenti Putin ka thënë prej ditësh se “nuk ka synim” të çojë një armë bërthamore në orbitë nëse nuk kërcënohet direkt Rusia. /Politico, Tass