MENU
klinika

Trajtimin i pacientëve me diagnoza pastraumatike

Shërbimi i Fizioterapisë tek Trauma, Koçiu: Mbi 800 pacientë kanë marrë shërbime në këto 3 muaj

18.04.2024 - 21:02

Shërbimi i Fizioterapisë në Spitalin Universitar të Traumës, i pajisur me kushte bashkëkohore, siguron trajtimin e pacientëve me diagnoza pastraumatike.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu ndau në rrjetet sociale shembullin e mjekes Manushaqe Saraçi dhe kryefizioterapistit Perli Rusi, të cilët janë pjesë e stafit mjekësor të këtij shërbimi.

Koçiu tha se ata çdo ditë kujdesen për rehabilitimin e pacientëve.

“Ky shërbim i pajisur me kushte bashkëkohore, siguron trajtimin e pacientëve me diagnoza post traumatike, me aparatura të teknologjisë së fundit, tens, lazer, me ultratinguj, manjetoterapi, vakumterapi, limfodrenazh, diatermi dhe terapi manuale”, theksoi Koçiu.

Një pacient që po trajtohet në Shërbimin e Fizioterapisë në Spitalin Universitar të Traumës tha se “kam dëmtim në shtyllën kurrizore, fizioterapia është shumë më e mirë, stafi shumë i kualifikuar. Nga gjendja që nuk rrija dot në karrige tani kam më shumë lëvizshmëri. Është një ndryshim total”.

Mjekja Manushaqe Saraçi tha se “gjatë vitit 2023 në këtë qendër kanë marrë shërbime rehabilituese 2538 pacientë dhe në janar-prill të këtij viti janë rehabilituar 460 pacientë të shtruar dhe 420 pacientë ambulatorë”.

Kryefizioterapistit Perli tha se “ne trajtojmë 110-140 pacientë në ditë, ku janë edhe të shtruar edhe ambulatorë. Pacientët e shtruar janë ata të ortopedisë, kirurgjisë 1 dhe 2, në reanimacion, sëmundje të brendshme, kirurgjinë plastike”.