MENU
klinika

“Toronto.com”

Shqipëria, destinacioni turistik në rritje i Evropës

07.04.2024 - 10:32

Shqipëria ofron shumë më tepër përtej rivierës së saj, nga majat e pacenuara malore, Bjeshkët e Nemuna deri te vendet e trashëgimisë së lashtë, shkruan Jennifer Malloy në të përditshmen kanadeze “Toronto.com” .

Pamja e parë që të tërheq vëmendjen në Shqipëri, ashtu si për shumicën e turistëve, është vija bregdetare vezulluese që shtrihet përtej qyteteve turistike që përhapen pranë detit të kaltër.

Megjithatë, gjatë këtyre pushimeve, destinacioni ynë përfundimtar nuk ishte deti, por veriu i largët malor.

Kur unë dhe bashkëshorti im, së bashku me djalin tonë 2-vjeçar, arritëm në aeroportin ndërkombëtar të Shqipërisë, punësuam një shofer për të udhetuar në majat e thyera të vendit.

Ne ecëm përgjatë vijës bregdetare perëndimore derisa arritëm në Bjeshkët e Nemuna, që për ne ishte një bekim.

Dikur, rruga që të çonte deri te kalimi marramendës – Porta për te majat e argjendta të Ballkanit, ishte një shteg dheu i thyer. Tani, shtrimi i saj në mënyrë perfekte, është një tregues i qartë i një investimi të vendit në turizëm nëpërmjet përmirësimit të infrastrukturës rurale.

Në të vërtetë, Shqipëria duket e vendosur për të lënë pas të kaluarën e saj komuniste dhe promovuar veten si një destinacion ideal turistik rural, me më shumë për të ofruar sesa thjesht vijën bregdetare.

Megjithëse zona e quajtur Riviera Shqiptare ka tërhequr vëmendjen më të madhe të udhëtarëve vitet e fundit, një pjesë kyçe e strategjisë së turizmit të qëndrueshëm të qeverisë përfshin nxitjen e njerëzve për të eksploruar më tej peizazhin natyror të pacenuar të vendit.

Eksplorimi i mëtejshëm i peizazhit natyror është i lehtë për t’u bërë, në një vend ku mundësohet udhëtimi njëditor – nga plazhet e bukura deri te majat malore të mbuluara me borë, diçka që mund ta përjetoni në fshatin turistik të Thethit, ku bujtinat baritore të drejtuara nga familjet ofrojnë strehë dhe ushqim për alpinistët që do të përballen ditën tjetër me ecjen rreth 15 kilometra deri në Valbonë.

Ne e kaluam natën në Theth në një bujtinë e cila drejtohej nga familja – këtu nuk shërbehen biskota si në hotele. Në tasat e mbushura me tavë kosi të bërë vetë (mish qengji me oriz dhe kos), ne zbuluam se nuk janë vetëm turistët që po zbulojnë kënaqësitë rurale të Shqipërisë.

Ne u takuam me Ava Melkani, një shqiptaro-kanadeze e cila u largua nga vendi në vitet 1990 për të kërkuar një jetë më të mirë. Ajo sapo kishte përfunduar ecjen e mundimshme nga Valbona në Theth me vajzën e saj 20-vjeçare.

Nën sundimin komunist, pak njerëz zotëronin një makinë dhe shumë familje nuk mund të përballonin as koston e një biçiklete, e lëre më një udhëtim në të gjithë vendin.

Të nesërmen, u nisëm për ecje mbi Qafën e Valbonës. Ishte radha jonë të mrekulloheshim se sa ia vlente të eksploroje veriun jo shumë të njohur.

Duke lënë pas fermat dhe shtëpitë e fshatrave, ne ndoqëm një shteg me aromë pishe që përshkonte një kodër me dru të rëndë, duke u zhytur në pamjen gjithëpërfshirëse të majave me nuanca margaritare që përqafonin luginën poshtë.

Më pas ecëm nëpër një grykë gjarpëruese smeraldi përpara se të merrnim një makinë me qira dhe të udhëtonim drejt vijës bregdetare jugore, duke marrë kohën tonë për të eksploruar vendet e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, Beratin dhe Gjirokastrën. Këto qytete të përcjellin ndjesinë e një oazi otoman.

Më pas, ne u endëm përgjatë ujit të kaltër të Adriatikut, ndërsa prisnim tragetin për në Butrint, një vend arkeologjik i disa qytetërimeve të lashta, të ruajtur në mënyrë perfekte në beton dhe fondante tullash.

Duke udhëtuar përgjatë vijës bregdetare jugore, ne lamë pas qytetet e mëdha duke iu afruar fshatrave me të vegjël dhe bujtinave të vendosura mes vilave dikur të braktisura.

Ne morëm frymë në rigjallërimin, pushuam në hijeshinë e ashpër të arkitekturës dhe shijuam disa petulla me djathë – mjaft e shendetshme per një ditë të plotë noti, vozitjeje dhe zhytjeje në ujërat e pacenuara pranë bregut.

Kohën tonë në Shqipëri e përfunduam në fshatin e Qeparos, i cili ka filluar të lulëzojë sërish.

Mbetet vetëm të shpresojmë që kur të kthehemi sërish një ditë, vendi do të ndihet ende kështu: plot jetë, karakter dhe familje.