Eksperti i ekonomisë, Klodian Muco ka komentuar zhvillimet më të fundit për sa i përket çështjeve të pensionit dhe jo vetëm. Në një interviste televizive ai ka folur për pensionet, për rritjen e pagave si edhe fushave dhe profesioneve që përfitojnë nga kjo rritje. Sipas ekspertit një rritje e pensioneve do të bëhej vetëm nëse do te kishte një rritje të minimumit jetik dhe kjo do te arrihej sipas një skeme të veçantë e cila do të niste me përllogaritjet e këtij të fundit fillimisht. Ai ka treguar gjithashtu se numri i lindjeve është ulur si edhe pjesa më e madhe e Shqiptarëve kanë emigruar duke bëre që numri i pensionistëve dhe i atyre që japin kontribute të shkojnë drejt një barazimi. Nga ana tjetër eksperti Muco ka parë si të parealizueshëm propozimin e bërë nga Opozita për një pension prej 300 euro duke nënvizuar se normat e shpërdorimit të parave dhe korrupsioni janë në nivele të larta. Ndërkaq ka theksuar se do të ketë rritje të pagave në profesione të ndryshme nga korriku i këtij viti.
-Zoti Muco përsa i përket pensioneve, është thënë se brenda 1 prillit do të nisë një praktikë e tërheqjes së pensioneve përmes sistemeve bankare. A mendoni se do të funksionojë diçka e tillë, a mund të ul abuzimet edhe a do të përqafohet siç duhet kjo nga pensionistët që kanë një qasje pak të vështirë më teknologjinë?
Futja e parave nëpërmjet sistemeve bankare qoftë edhe të pensioneve sigurisht që ka një impakt pozitiv tek pjesa e informalitetit dhe në ekonomi në kompleks. Por nga ana tjetër do hasen vështirësi pasi pensionistët të cilët nuk janë aq teknologjik dhe do kenë nevojë për ndihmën e familjarëve të tyre. Kjo është një zgjidhje e mirë për pensionistët që jetojnë jashtë por jo për pensionistët vendas qe janë mësuar me sistemin aktual.
-Ndërkohë ka një propozim nga opozita për rritjen e pensioneve, edhe kryeministrin e kemi dëgjuar shpesh duke thënë “u kemi borxh të madh pensionistëve Shqiptarë”. Por kur do të ketë Shqipëria në qasjen tuaj një pension dinjitoz për të gjithë të moshuarit?
Në fakt, unë jam marrë me pjesën e përllogaritjes së minimumit jetik dhe kështu pastaj në arritjen e pensionit minimal mbi këtë minimum. Në çdo vend të botës pensioni minimal duhet të jetë sa minimumi jetik por në Shqipëri ka thuajse mbi 15 vite që nuk është bërë përllogaritja e këtij minimumi. Një organizatë jofitimprurës ka bërë disa përllogaritje para dy vitesh por ende ne nuk kemi një komunikim zyrtar të këtyre shifrave. Ajo çfarë mund të them është se nuk mund të ecet kështu pasi problemet ekzistojnë dhe pensionistët janë shtresa më vulnerabel e shoqërisë. Ata 64 mije familje me asistence sociale e kanë pensionin sa 1/3 e minimumit jetik. Pra qeveria duhet ti marrë këto masa dhe të shkojmë drejt kësaj vlere. Është e vërtetë edhe ajo që deklaron Kryeministri, pra që në fakt të gjithë duan që ti kënaqin pensionistët por në fakt skema e pensioneve lë për të dëshiruar, kjo për shkak të largimit të masave të popullsisë. Në gjendjen civile sot në regjistra janë diku tek 713 mijë pensionistë, pra përfituesit e pensionit dhe i atyre që japin kontribute pra të punësuarit po shkojnë drejt një barazimi 4.6 milion shqiptarë, por vetëm 50% e tyre jetojnë në vend realisht në bazë të dhënave paraprake. Kjo ka çuar në një plakje të shpejtë të popullsisë. Të dhënat nga INSTAT gjithashtu kanë treguar se kemi një numër lindjesh më të vogël thuajse 5000 lindje më pak në raport me para disa vitesh. Pra këto kanë bërë që numri i pensionistëve pra përfituesit e pensionit dhe i atyre që japin kontribute pra të punësuarit po shkojnë drejt një barazimi. Kjo është një nga sfidat më të mëdha që ka vendi ynë sot dhe duhet gjetur një zgjidhje.
-Ndërkohë opozita ka folur edhe për pension 300 euro, sado e dëshiruar, a është diçka e realizueshme kjo shifër?
Është shumë e vështirë për tu realizuar dhe sigurisht nuk mund të realizohet në mënyrë të menjëhershme pasi duhet bërë një skeme e veçantë e cila duhet të arrihet brenda një 5 vjeçari. Duke marr si shembull metodologjinë që përdor EUROSTAT brenda 5 viteve duhet të ketë një ndërhyrje të vazhdueshme në pensione, ndërhyrje e cila duhet të arrijë në shifrën e 300 euro Brenda këtij kësaj kohe. Pra, a është i drejtë propozimi i Opozitës? Sigurisht që po, por a është i realizueshëm për buxhetin e shteti? Kjo është relativisht shumë e vështirë. A mund të realizohet? Po patjetër por kjo do të bëhej vetëm nëse do të kufizoheshin shpenzimet në fusha tjera si ajo e infrastrukturës pasi siç jemi në dijeni bëhen abuzime në tenderat publik. Pra korrupsioni është në vlera të larta sepse në të kundërt do kishim para mjaftueshëm për ta arritur këtë objektiv.
-A ka studime që tregojnë normat e korrupsionit në Shqipëri?
Ka një sërë studimesh për impaktin që ka korrupsioni në rritjen ekonomike, në investimet e huaja direkte etj. Se sa është niveli i korrupsionit në Shqipëri? Diskutohet që të jetë mbi 20%. Ne llogaritë i bëjmë duke marrë në konsideratë shkeljet që bën KLSH-ja si edhe investimet publike, që shkojnë tek 20% shpërdorime edhe korrupsion, kryesisht korrupsion.
-Zoti Muco kemi folur edhe për rritjen e pagave por ka shume pikëpyetje lidhur me këtë mbase edhe nga vetë punonjësit e administratës. Në dijeninë tuaj çfarë ka ndodhur me pagat që nga premtimi i dhënë prej Kryeministrit.
Ndryshe nga premtimet e tjera, i pagave shihet si premtimi më i realizuar sepse skema e pagave është drejt përmirësimit. Kjo ka ardhur si rezultat i rritjes së pagës minimale dhe rritjes së pagës në administratën publike. Kjo më pas bën një presion për rritjen e pagës edhe në bizneset private dhe kjo është forma drejt përmirësimit të kësaj skeme.
-Ndërkohë rritja e pagave a mund të sjellë rrjedhimisht edhe rritje të pensioneve duke qënë se shtohen edhe taksat që paguhen?
Sigurisht, rriten kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore të cilat përfshijnë përkatësisht 24.5% dhe 3.4% të pagës bruto. Flitet për datën 1 Korrik dhe tashmë na mbetet vetëm të presim. Në këtë datë do diskutohet sa do të jetë kjo rritje si edhe cilat do të jenë profesionet që do preken nga kjo rritje ku përmenden mjekët, mësuesit dhe të tjera.
-Pra nga data Korriku do të shikojmë ndryshime për këtë në bazë të asaj që është thënë?
Në bazë të parashikimeve si edhe buxhetit te 2024 që është diskutuar në fund te vitit 2023 është marrë në konsideratë edhe rritja e pagave. Pra mendoj se që nga korriku do të këtë një rritje por sesa do të jetë kjo rritje ngelet për t’u parë.