MENU
klinika

Fundi i muajit të shenjtë të Ramazanit

Sot Fitër Bajrami! Mijëra besimtarë myslimanë falin namazin në sheshin ‘Skënderbej’

10.04.2024 - 09:10

Mijëra besimtarë myslimanë kanë mbushur mëngjesin e sotëm sheshin “Skënderbej” ku po organizohet ceremonia e faljes së Namazit të Fitër Bajramit.

Ceremonia nisi rreth orës 06:22, ndërsa Namazi u fal në orën 06:58. Ajo nis me leximin e kuranit, vazhdon me një ligjeratë, faljen e namazit dhe Hytbe. Pas faljes së mëngjesit, rituali vazhdon me prerjen e kurbanit duke vijuar me urimet.

Ceremonia, ashtu si çdo vit, u zhvillua me ilahi dhe fjalën e imamëve të pranishëm e më pas, besimtarët drejtohen për në shtëpitë e tyre, ku vijohet me pjesën tjetër të festimeve, ndër to, edhe vizitat në shtëpitë e të afërmve dhe njerëzve të dashur.

Të gjithë myslimanët, në mbarë botën, festojnë sot Fitër Bajramin.

Fitër Bajrami shënon për myslimanët fundin e muajit të shenjtë të Ramazanit.

Fiter Bajrami është festa e cila bëhet pas mbarimit të muajit të Ramazanit. Emri Fiter Bajram vjen nga fakti se myslimanët para ditës së Bajramit shpërndajnë lëmoshë, solidarizohen me të varfrit, dhe kështu në këtë mënyrë festojnë së bashku këtë festë. Zoti ligjësoi në fund të muajit të Ramazanit festën e Fiter Bajramit, gëzim për myslimanët, ashtu siç ligjësoi festën e Kurban Bajramit në ditën e dhjetë të muajit Dhul-Hixhxhe. Festa e Bajramit manifestohet duke falur namazin e Bajramit.

Namazi i Bajramit është obligim i domosdoshëm për çdo mysliman. Muhammedi i ka kushtuar rëndësi të veçantë duke i urdhëruar myslimanët që të falin këtë namaz. Koha e namazit të Bajramit fillon me ngritjen e diellit nga horizonti sa një shtizë, derisa të arrijë në zenit. Namazi i Bajramit ka dy rekate dhe dallon prej namazeve tjera për nga mënyra e faljes. Në rekatin e parë pas tekbirit fillestar merren shtatë tekbire, mandej lexohet sureja Fatiha dhe ndonjë sure tjetër. Pas plotësimit të rukusë dhe sexhdesë së rekatit të parë, ngritet për në rekatin e dytë dhe menjëherë merren pesë tekbire pas të cilëve lexohet Fatiha dhe ndonjë sure, më pas shkohet në ruku dhe sexhde e kështu përfundon namazi.