MENU
klinika

Çon për gjykim 3 persona

SPAK mbyll hetimet për abuzimin me tenderat në Tropojë

08.04.2024 - 12:01

Prokuroria e Posaçme ka mbyllur hetimet për abuzimin me tenderat në shkollën “Asim Vokshi” në Tropojë dhe ka dërguar për gjykim tre të pandehurit, Zenel Çela, Ramiz Bardhi dhe Rexhep Ismajlisufaj, që po hetohen në gjendje të lirë.

Njoftimi i SPAK:

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë, ka përfunduar hetimet paraprake dhe ka paraqitur para Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, kërkesën me marrëveshje për pranimin e fajësisë, të procedimit penal Nr. 288, të vitit 2021, në ngarkim të të pandehurve:

Zenel Çela, akuzuar për kryerjen e veprës penale “Shkelja e barazizë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, parashikuar nga neni 258, i Kodit Penal (hetuar në gjendje të lirë);
Ramiz Bardhi, akuzuar për kryerjen e veprës penale “Shkelja e barazizë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, parashikuar nga neni 258, i Kodit Penal (hetuar në gjendje të lirë);
Rexhep Ismajlisufaj, akuzuar për kryerjen e veprës penale “Shkelja e barazizë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, parashikuar nga neni 258, i Kodit Penal (hetuar në gjendje të lirë);
Procedimi penal Nr. 288, i vitit 2021, është regjistruar mbi bazën e materialit kallëzues të referuar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit. Objekt i hetimit të këtij procedimi penal ka qenë procedura e ndjekur nga autoriteti kontraktor Bashkia Tropojë, në prokurimin publik me objekt “Shkolla Asim Vokshi-Palestër dhe terrene sportive dhe sistemime të jashtme në gjimnazin Asim Vokshi”, me fond limit 50.319.591 lekë, pa Tvsh, lloji i procedurës e hapur.

Nga analiza e provave dhe të dhënave të grumbulluara në funksion të hetimit të këtij procedimi penal, rezulton e provuar, se të pandehurit me veprimet e tyre si anëtarë të Komisionit të Vlersimit të Ofertave, gjatë vlerësimit të ofertave, nuk kanë trajtuar në mënyrë të barabartë operatorët ekonomikë pjesëmarrës në procedurën e prokurimit me objekt “Shkolla Asim Vokshi”, Bashkia Tropojë.

Megjithëse Bashkimi i Operatorëve Ekonomikë “Halili 1 & Shendelli”, ka paraqitur ofertën më të ulët në vlerën 42.072.833 lekë, pa Tvsh, të pandehurit në cilësinë e anëtarëve të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, në kundërshtim me Ligjin dhe Rregullat e prokurimit publik, si dhe me kriterin e vendosur në Dokumentat Standarte të Tenderit, kanë shpallur fitues operatorin ekonomik “4 A-M”, me ofertën 50.269.533 lekë pa Tvsh, duke shkaktuar një dëm ekonomik në vlerën 8.196.700 lekë (si diferencë midis dy ofertave).