Të enjten vendoset fati i Olta Xhaçkës, PS në test përballë vendimit të Kushtetueses…
A do ta lëshojë Edi Rama, Olta Xhaçkën? Pasi e mbajtën peng për mbi 1 vit e gjysmë çështjen e mandatit të saj, PS duket se ka vendosur që të merret një vendim final. Sot u mblodh Këshilli i Mandateve dhe u vendos që ditën e enjte të kalojë për votim raporti lidhur me mandatin e saj.
Kujtojmë se Gjykata Kushtetuese me një vendim të sajin i kërkoi Kuvendit që të votojë pro heqjes së mandatit dhe raporti të kalojë te kjo gjykatë. Në fund duhet të vendosë ajo nëse jemi apo jo në kushte e konflikti të interesit.
Deputetët e opozitës Gazment Bardhi e Ervin Salianji akuzuan maxhorancën se është bërë mburojë e Olta Xhaçkës dhe kërkoi që çështja të mos zvarritet por të futet në rend të ditës në seancën e ardhshme. Nikolla vendosi që të entjen të bëhet votimi, teksa Bardhi deklaroi se PS nuk ka marrë vendim se si do të votojë, por e la në dorë të deputetëve. Ai dha sinjale se dhe mund të votohet kundër heqjes së mandatit.
Vendimi i Kushtetueses
Shumica e anëtarëve në Gjykatën Kushtetuese i dha të drejtë kërkesës së 1/10 së deputetëve të opozitës, duke i rrëzuar si antikushtetuese vendimet e Kuvendit për dy raportet e Këshillit të Mandateve lidhur me mandatin e Xhaçkës.
Në nëntor të vitit 2022, Kuvendi vendosi të mos miratojë raportin e pakicës parlamentare dhe të miratojë atë të shumicës për çështjen Xhaçka.
“Kuvendi duhet të kishte pranuar mocionin e kërkuesit dhe të dërgonte çështjen për shqyrtim në këtë Gjykatë, në mënyrë që aspektet e pretenduara si papajtueshmëri të mandatit të deputetes Olta Xhaçka t’i nënshtroheshin vlerësimit kushtetues, pasi gjatë gjykimit kushtetues nuk u verifikua ndonjë pengesë juridiko-formale që mocioni të pengohej nga Kuvendi”, thuhet në vendimin e shumicës.
Mendimi i pakicës kundër në vendim përfaqësohej nga anëtarët Sonila Bejtja, Sandër Beci dhe Ilir Toska. Sipas arsyetimit të Bejtjes, kërkesa e 1/10 së deputetëve duhej të rrëzohej, pasi i heq gjykatës mundësinë për të vlerësuar në themel çështjen në bazë të kërkesës së 1/5 së deputetëve. Bejtja argumenton më tej se ky mekanizëm është mënyra e vetme për të vënë në lëvizje juridiksionin kushtetues, në rast se Kuvendi nuk vepron në përputhje me detyrimin kushtetues.
Ndërsa dy anëtarët Sandër Beci dhe Ilir Toska kundërshtuan vendimin për zgjidhjen e konfliktit të kompetencave mes 1/10 e deputetëve dhe Kuvendit, pasi sipas tyre 1/10 e deputetëve nuk legjitimohet për fillimin e një gjykimi kushtetues për këtë çështje.
Shkeljet e PS
PS nëse nuk voton pro, ka shkelur hapur Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit. Kërkesa e demokratëve bazohet në nenin 70 të Kushtetutës i cili shprehet: “Deputetët nuk mund të kryejnë asnjë veprimtari fitimprurëse që buron nga pasuria e shtetit ose e pushtetit vendor dhe as të fitojnë pasuri të këtyre. Për çdo shkelje të paragrafit 3 të këtij neni, me mocion të kryetarit të Kuvendit ose të një së dhjetës së anëtarëve të tij, Kuvendi vendos për dërgimin e çështjes në Gjykatën Kushtetuese, e cila konstaton papajtueshmërinë”.
Ndërsa në nenin 119/1 të Rregullores së Kuvendit janë përcaktuar hapat që duhet të ndjekë Kuvendi pas dorëzimit të kërkesës. Sipas këtij neni, Kuvendi nuk vë në diskutim mocionin e paraqitur dhe nuk ia nënshtron atë debatit parlamentar, pasi nuk i hyn themelit të çështjes për të vlerësuar nëse veprimet konkrete të pretenduara të kryera nga deputeti janë të papajtueshme me mandatin e tij.
“Për çdo shkelje të kufizimeve të këtij neni, çështja dërgohet pa vonesë në Gjykatën Kushtetuese. Kuvendi, nëpërmjet Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetet, verifikon nëse mocioni i paraqitur plotëson kërkesat juridiko-formale, siç janë numri i anëtarëve nënshkrues, ekzistenca e dokumentacionit dhe provave që mbështesin mocionin e paraqitur, verifikon momentin e marrjes së mandatit nga deputeti, verifikon nëse mocioni plotëson kriteret kushtetuese të parashikuara në pikën 3 të nenit 70 të Kushtetutës për vënien në lëvizje të Gjykatës Kushtetuese, si dhe kujdeset për respektimin e procedurës parlamentare për votimin e mocionit në seancë plenare, në përputhje me parashikimet e Rregullores së tij”, thuhet në nen. Sipas tij, vlerësimi nëse kemi apo jo konflikt interesi është një çështje që i përket ekskluzivisht Gjykatës Kushtetuese.
Rasti më skandaloz është se PS i jep kompetenca vetes të dalë mbi Gjykatën Kushtetuese. PS ka shkelur hapur nenin 132 të Kushtetutës ku thuhet: “Vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë përfundimtare dhe të detyrueshme për zbatim”.