MENU
klinika

Pista e re

Tritol banesës së gjyqtarit të Shkodrës/ Sulm i porositur, mesazh për Sterkajn

29.04.2024 - 20:13

Gazetari i ABC News, Ermal Vija thotë se vendosja e tritolit në banesën e gjyqtarit të Shkodrës, Tonin Sterkaj është e porositur dhe mendohet se është mesazh për të, që lidhet me detyrën.

Në një intervistë për “Special Report”, Vija u shpreh se pista e mundshme është që personi i cili ka vendosur tritolin, të jetë urdhëruar për ta bërë diçka të tillë, teksa ky i fundit nuk ka lënë gjurmë në vendin e ngjarjes.

Sipas Vijës, Sterkaj është një gjyqtar i cili ka pasur çështje të karakterit penal dhe shtoi se ky rast është një test edhe për Policinë e Shkodrës.

“Ngjarja është e rendë, është hera e parë pas shumë kohësh kur një gjyqtar i cënohet jeta, pasi një sasi eksplozivi ishte vendosur pranë banesës. Nga ajo që unë kam komunikuar, deri në këtë fazë mund të jetë një mesazh i përcjellë nga disa persona. Sasia e tritolit është vendosur në derën e jashtme, nuk kanë dashur të cënojnë drejtpërdrejt jetën. Kohët e fundit kanë qenë të shpeshta kërcënimet ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Në rastin e zotit Tonin Sterkaj është vendosur mbrojtje e posaçme për të paktën 6 muajt e ardhshëm. Sa i takon ngjarjes, deri në këtë fazë, Policia e Shtetit dhe Prokuroria e Shkodrës kanë disa pista hetimi, më e mundshmja, që personi të jetë urdhëruar nga persona të tjerë. Sterkaj ka deklaruar se nuk ka konflikte me persona të tjerë, nuk ka konflikte të hapura. Është një gjyqtar që ka pasur çështje të karakterit penal.

Rasti i Sterkajt është rast i rëndë. 6 muaj mbrojtje janë për të garantuar fillimisht, autoritetet do të duhet të zbulojnë edhe autorët. Nëse zbulohen, nuk do të jetojë gjithë kohës nën mbrojtje të vazhdueshme. Nëse do të vijojë me moszbulimin e autorëve, me kërkesë të gjyqtarit, apo edhe të drejtuesit të gjykatës, do të vijojë mbrojtja. Hyn te rastet e vështira. Autori nuk ka lënë gjurmë. Është një test për Policinë e Shkodrës”, theksoi ai.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Detajet si ka ndodhur ngjarja (EMRI)

Shpërthim me lëndë plasëse në banesën e gjyqtarit