MENU
klinika

"Të zbardhet ngjarja, autorët të nxirren para përgjegjësisë ligjore"

Tritoli në banesën e gjyqtarit në Shkodër, reagon KLGJ: Cënohet siguria!

28.04.2024 - 12:34

Këshilli i Lartë Gjyqësor ka reaguar në lidhje me një ngjarje të ndodhur në Shkodër, ku në orët e para të mëngjesit të sotëm (28 prill) u vendos një sasi lënde plasëse në derën e banesës së gjyqtarit Tonin Sterkaj.

KLGJ thotë se dënon këtë akt të rëndë, ndërsa thotë se ngjarje të tilla cenojnë sigurinë e gjyqtarit dhe përbëjnë kërcënim serioz për gjithë shoqërinë shqiptare.

KLGJ kërkon nga organi i akuzës që ngjarja të zbardhet sa më parë dhe autorët të nxirren para përgjegjësisë ligjore.

“Duke marrë shkas nga informacionet e përcjella nga media e shkruar dhe vizive si edhe bazuar në informacionin paraprak të Policisë, ditën e sotme lidhur me ngjarjen e ndodhur në banesën e magjistratit z. Tonin Sterkaj, me funksion gjyqtar në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, Këshilli i Lartë Gjyqësor përcjell shqetësimin për këto akte që cenojnë rëndë sigurinë e gjyqtarit dhe përbëjnë kërcënim serioz për gjithë shoqërinë shqiptare.

Këshilli i Lartë Gjyqësor dënon aktin kriminal dhe i kërkon organit të akuzës hetimin, zbardhjen e ngjarjes dhe të nxjerrë para përgjegjësisë ligjore personat e përfshirë.

Këshilli i Lartë Gjyqësor i shpreh mbështetjen të gjithë gjyqtarëve të sistemit gjyqësor për të garantuar sigurinë e tyre, në mënyrë që të ushtrojnë detyrën pa frikën e kërcënimeve, pasi respektimi i funksionit dhe dinjitetit të tyre, është parakusht për një proces të rregullt ligjor, për një sistem drejtësie efektiv dhe efikas, por edhe për funksionimin normal të shtetit të së drejtës”, thuhet ne reagimin e KLGJ.

NGJARJA

Një sasi tritoli shpërtheu në orët e para të mëngjesit në banesës e shtetasit Tonin Sterkaj, me detyrë gjyqtarë në gjykatën e shkallës së parë në Shkodër.

Ngjarja ndodhi rreth orës 3:13 minuta në lagjen “Tom Kola” bën të ditur policia vendore e Shkodrës. Sasia e tritolit është vendosur tek porta e oborrit të banesës së gjyqtarit Sterkaj vijon më tej policia teksa janë shkaktuar vetëm dëme materiale.

Një person futet në rrugicë dhe ecën në këmbë dhe pasi mbërrin tek dera e gjyqtarit Sterkaj vendos lëndën plasëse dhe më pas largohet me shpejtësi dhe pas pak sekondash ndodh edhe shpërthimi. Autori është i maskuar në fytyrë dhe deri më tani nuk është identifikuar nga efektivët.

Ndërkohë gjyqtari Sterkaj ka qenë brenda banesës kur ka ndodhur shpërthimi sëbashku me familjen e tij. Pasi ka dëgjuar zhurmën ka dalë në ballkon, por pa e ditur se tritoli ishte vendosur në derën e tij.

Një komshi e ka njoftuar dhe më pas ka vërejtur se ngjarja lidhet me të. Gjyqtari Sterkaj ka dhënë një dëshmi në policinë e Shkodrës duke thënë se dyshon se kjo ngjarje lidhet me detyrën e tij si gjyqtarë në gjykatën e Shkodrës por pa e patur të qartë se për cilin rast mund të bëhet fjalë konkretisht.

Policia vendore e Shkodrës është duke hetuar dhe sipas burimeve ka disa të dhëna që mund të çojnë në zbulimin e autorit të vendosjes së tritolit i cili sipas efektivëve është një person që mendohet se është paguar nga dikush tjetër që ka patur çështje në gjykatë.

Policia vijon kontrollet në zonë dhe po ashtu grupi hetimor po vijon veprimet në vendngjarje për sigurimin e provave me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorit. Vendosja e lëndës plasëse në derën e oborrit të banesës së gjyqtarit Tonin Sterkaj dyshohet se është një mesazh kërcënues ndaj tij.

Tonin Sterkaj ushtron prej shumë vitesh detyrën e gjyqtarit në gjykatën e shkallës së parë në Shkodër ndërsa pak më përpara pati një periudhë dy vjeçare që ishte në gjykatën e apelit të Shkodrës dhe pas mbylljes së kësaj të fundit u rikthye në shkallën e parë duke vijuar detyrën e tij.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Detajet si ka ndodhur ngjarja (EMRI)

Shpërthim me lëndë plasëse në banesën e gjyqtarit