MENU
klinika

Marrëdhënia me SPAK-un pro-aktive

Veliaj: Në ditët në vijim do të dorëzoj vetë dosjen me informacione për të gjitha çështjet

27.04.2024 - 19:57

Kryebashkiaku Erion Veliaj deklaroi sot se Bashkia e Tiranës është treguar gjithmonë bashkëpunuese me SPAK-un, qoftë për t’i ndihmuar me mbarëvajtjen e punës së tyre të përditshme, qoftë për çështje të dokumentacionit të nevojshëm për hetimet. Në një intervistë në Report TV, Veliaj tha se në ditët në vijim do të dorëzojë vetë në SPAK dosjen me informacione për të gjitha çështjet. Ai u shpreh se beson në një marrëdhënie pro aktive me SPAK-un, dhe jo siç “bëjnë disa skile në politikë, ku njëri fshihet pas konventës, tjetri fshihet pas ballkonit te shkolla ‘Kosova’”.

Pjesë nga intervista:

“Ne jemi treguar bashkëpunues me SPAK-un jo vetëm për çështje të dokumentacionit dhe mbarëvajtjes së hetimeve, por e kemi dëshmuar edhe me VKB, duke dhënë edhe prona të bashkisë për mbarëvajtjen e punës së SPAK-ut. Ju kujtoj se ish-ndërtesa e Ujësjellësit iu dhurua SPAK-ut nga Bashkia e Tiranës, që kolegët e BKH-së të punojnë në kushte njerëzore sepse s’mund të kesh një institucion, i cili duhet të përfaqësojë drejtësinë, që të ulen si në shkollat e Tiranës që gjeta unë para disa vitesh, me 5 veta në një zyrë dhe dosjet kapicë. Edhe drejtorët që sot duhet të japin shpjegime para SPAK-ut, në 1 mijë punë të mira që kanë bërë, qoftë edhe për një punë që ka nevojë të sqarohet, kanë qenë bashkëpunues. Unë si drejtues i bashkisë, po e po. Në dallim nga disa të tjerë që e kanë bashkëpunimin vetëm në nivel narrative ose dakordësie, – ose fjala vjen, një deputet, çfarë do bashkëpunojë me SPAK-un përveçse duke ngritur dorën kur kalon buxheti dhe ligjet mbështetëse – në Bashkinë e Tiranës kemi shkuar edhe përtej kësaj, kemi shkuar në dhënie asetesh që kolegët të punojnë në kushte komode. Mezi pres ta vazhdojmë bashkëpunimin dhe besoj se kemi qenë institucioni më korrekt. Ju kujtoj se në Bashkinë e Tiranës ka qindra procedura, për mbi 11.700 vetë staf, ndaj në këtë sens, gjithmonë mund të ketë nevojë për bashkëpunim dhe gjithmonë do të ketë bashkëpunim.

Unë besoj se marrëdhënia me SPAK-un nuk duhet të jetë vetëm reaktive, kur ata kërkojnë diçka, por mund të jetë edhe pro aktive. Zoti Dumani kishte të drejtë kur tha se institucionet duhet të jenë më pro aktive. Unë e kam marrë seriozisht këtë propozim dhe dua jo vetëm të vazhdojmë bashkëpunimin, por dua të jap më shumë informacione, edhe për të sqaruar çështjen e inceneratorëve, edhe për të shpjeguar pse disa media dhe disa gazetarë të influencuar nga politika ngatërrojnë letrën e Bankës Botërore me propozimin e pakërkuar. Kështu që, sa të pres që SPAK-u dhe institucionet e tjera, le të themi, me procedurat dhe vonesat e postës, ta bëjnë gjithë këtë komunikim, më mirë shkoj vetë, bëj një kronologji të gjithë këtyre situatave dhe mendoj se qasja proaktive na ndihmon të dyja palëve. Palën e bashkisë për aq sa ka, si një nga 5-6 klientët e inceneratorëve dhe për gjithë dijeninë që ka, edhe palës së SPAK-ut për të mos u vonuar me “erdhi posta, u vonua posta”, por për të pasur të gjithë informacionin e nevojshëm.

Ndaj, besoj, në ditët e ardhshme do të kemi një dakordësi për orarin, unë i kam bërë gati dosjet, gjithë kronologjinë, edhe të mënyrës sesi ne, si një nga 5 (fillimisht) dhe tani 6 bashkitë, jemi klientë të inceneratorit, por edhe ku është diferenca mes letrës së Bankës Botërore dhe asaj që është një ofertë e pa kërkuar, dhe sesi disa personazhe mundohen t’i ngatërrojnë të dyja, por është e pa ngatërrueshme, është shumë e qartë. Banka Botërore është aty, dëshmitarët janë aty, dhe them më mirë proaktiv dhe shkoj vetë, sesa të bëj atë që bëjnë disa skile në politikë, ku njëri fshihet pas konventës, tjetri fshihet pas ballkonit te shkolla “Kosova”, që janë sjellje të pahijshme për burrat. Por, unë besoj se kështu është ndarë kjo jetë: në ca njerëz që nuk kanë asnjë problem me integritetin e tyre, me dëshirën e tyre, me pasionin e tyre dhe me gjurmën që kanë lënë në këtë qytet dhe në vend, dhe në ca të tjerë që fshihen, njëri është me diarre, tjetri thotë është pa qejf për “Rrugën e Kombit”… po ata janë i njëjti stan, i njëjti bulmet. Them “stan me lepuj” se nuk kanë minimumin e dinjitetit… gëzohen kur shahet Shqipëria dhe Tirana, e ndërkohë s’kanë pikën e burrnisë dhe inskenojnë drama të tipit “Përputhen” në familjen e tyre, me demek për të hequr vëmendjen nga dramat reale, që i kanë shkaktuar këtij vendi. Kjo është diferenca e madhe mes nesh dhe tyre.”