Kapet grupi i të rinjve që u përfshinë në sherrin e mbrëmshëm si pasojë e të cilit humbi jetën një 18-vjeçar i cili u godit me thikë. Dyshohet se konflikti nisi për një vajzë, ndërsa po punohet për të sqaruar se cili prej tyre është autori.
Policia ka bërë të mundur arrestimin e katër autorëve, në zonën e Farkës në Tiranë. Ata janë shoqëruar në ambientet e policisë, ndërsa po vijohet me hetimet për të përcaktuar rolin e gjithsecilit në këtë ngjarje të rëndë që i mori jetën 18-vjeçarit.
Pas një sherri me thika midis dy grupe djemsh, një 18-vjeçar i quajtur Aurelio Dervishi ka gjetur vdekjen. Ngjarja ndodhi rreth orës 21:50, te rrethi i Shkozës dhe dyshohet se janë përfshirë 5 persona.
Nga të dhënat paraprake mësohet se agresorët i kanë bërë shenjë makinës ku lëvizte viktima, Aurelio Dervishi, si pasagjer që të ndalonte, por shoferi nuk është bindur.
Dyshohet se konflikti me thika midis grupeve të të rinjve ka nisur pas një debati të çastit për motivin “Ç’a ke që shef?!”.
Sipas të dhënave paraprake ka pasur një konflikt fizik mes tyre ku një prej të rinjve ka qëlluar me thikë në gjoks 18-vjeçarin. Më pas të rinjtë dyshohet se janë larguar në drejtim të Unazës Lindore me një mjet tip ‘Tiguan’.
Grupi hetimor ka marrë në pyetje dhe shoferin e automjetit tip ‘Audi’ me te cilin po udhëtonte viktima, ndërsa ai ka pohuar se nuk i njihte autorët. Në dëshminë e tij të dhënë për efektivët, i riu ka thënë se sherri ka qenë i çastin dhe ka nisur për fjalët ‘pse na shikoni’. Konflikti mes tyre dyshohet se ka qenë për një vajzë.
Njoftimi i Policisë për ngjarjen mbrëmë:
Tiranë/Informacion paraprak
Më datë 31.03.2024, rreth orës 21:50, tek rrethi i Shkozës, si pasojë e një konflikti të çastit mes disa shtetasve që lëviznin me dy automjete, (të cilët më pas janë konfliktuar fizikisht me mjete prerëse), është goditur me mjet prerës shtetasi A. D., 18 vjeç.
Si pasojë e dëmtimeve të marra ky shtetas ka ndërruar jetë rrugës për në spital. Grupi hetimor po punon për kapjen e autorëve të dyshuar dhe sqarimin e rrethanave të ngjarjes.