Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky ka kritikuar ashpër kancelarin gjerman Olaf Scholz për refuzimin për t’i dhënë Kievit raketat Taurus të prodhimit gjerman. Sipas Zelenskyt, ngurrimi bazohet në dëshirën e Scholz për të mbajtur armët për mbrojtjen e vetë Berlinit kundër një kërcënimi nga Rusia.
“Me sa kuptoj unë, kancelari beson se, duke qenë se ai është përfaqësues i një shteti jo bërthamor, kjo është arma e vetme që ka Gjermania, është më e fuqishmja. Ai ndau mesazhe me mua duke thënë se nuk mund ta lë vendin e tij pa një armë kaq të fuqishme”, ka thënë Zelensky.
Scholz ka refuzuar të dërgojë raketa Taurus në Ukrainë, duke thënë në deklaratat publike se një veprim i tillë mund të çojë në një përshkallëzim të luftës dhe madje mund ta tërheqë Gjermaninë në konflikt të drejtpërdrejtë me Rusinë.