MENU
klinika

E mori dhe nuk e ktheu më

Zhduket 3-vjeçari në Durrës, arrestohet gjyshi i tij

16.04.2024 - 11:02

Policia e Durrësit ka nisur kërkimet për gjetjen e një fëmijë tre vjeç, babai i të cilit ka humbur jetën në aksident rrugor, një vit më parë. Fëmija jetonte me nënën e tij.

Për këtë ngjarje është arrestuar gjyshi i djalit, 58-vjeçari Rexhep Gjuni, ndërsa është shpallur në kërkim bashkëshortja e tij.

Po ashtu është ndaluar dhe një person tjetër, i cili dyshohet se ka dijeni për vendndodhjen e djalit të mitur. Rexhepi dhe bashkëshortja e tij kanë marrë si çdo javë nipin e tyre për ta mbajtur për disa orë në familjen e tyre siç bënin zakonisht, por këtë radhë nuk e kane kthyer më te nëna e tij.

Burime nga Policia e Durrësit thonë se prej katër ditësh vijojnë kërkimet për gjetjen e djalit 3 vjeçar, por nuk është bere e mundur lokalizimi i tij. E gjendur përballë kësaj situate, nëna e 3-vjeçarit ka telefonuar ish-vjehrrin, por nuk ka mundur të komunikojë me të. Pas kësaj, nëna i është drejtuar Policisë së Durrësit dhe ka bërë denoncim për zhdukjen e djalit.

Pas arrestimit, gjyshi i fëmijës Rexhep Gjuni ka deklaruar se fëmija ndodhet në Kukës te disa të afërm, por Policia e Kukësit nuk e ka gjetur. Më pas gjyshi i 3-vjeçarit, Rexhepi, ka refuzuar të bashkëpunojë me policinë.

Paraprakisht, dyshohet që fëmija të jetë larguar jashtë vendit, ndërsa Policia e Durrësit ka kërkuar vigjilencë të shtuar nga pikat kufitare. Nëna e fëmijës ka deklaruar se nuk e di arsyen se pse ka ndodhur kjo situatë, ndërsa shton se nuk e kishte ndaluar asnjëherë fëmijën e saj të shkonte te gjyshërit (prindërit e burrit), të cilin e ka humbur në një aksident një vit më parë.

Ajo kërkon nga Policia e Shtetit të gjejë sa më shpejt të voglin e saj, pasi ndihet e shqetësuar për gjendjen e tij.

“Jam e shqetësuar. Nuk e di ku ndodhet fëmija im. Nuk e di nëse është mirë. Kërkoj nga policia të bëjë të mundur gjetjen e tij. Nuk e di pse ndodhi kjo pasi nuk e kam penguar kurrë fëmijën të shkonte te gjyshërit e tij”, tha ajo.