Ndërsa gara presidenciale e vitit 2024 nxehet, votuesit amerikanë përballen me një sërë zgjedhjesh të ngjashme si katër vjet më parë. Joe Biden dhe Donald Trump kandidojnë sërish kundër tjetrit dhe planet e tyre për abortin, imigracionin, taksat, luftërat jashtë vendit, nuk lënë aspak vend për dyshim se njeriu që zgjedhin votuesit në nëntor do formësojë peizazhin e jetës amerikane në mënyra krejtësisht të ndryshme nga tjetri. Zgjedhjet, janë të përcaktuara qartë. Taksa më të larta për super të pasurit, ose jo. Të drejtat e abortit ripohohen, ose u lihen shteteve që t’i kufizojnë ose lejojnë. Një tjetër përpjekje për të ligjësuar sigurinë kufitare dhe hyrjen e rregullt në vend, ose deportime masive. Një angazhim për të qëndruar krah Ukrainës ose për ta lënë vetëm. Qëndrimet e Biden dhe Trump për 10 çështjet kryesore janë totalisht të ndryshme, dhe amerikanët do të zgjedhin se nga cila anë “peshojnë”.
Aborti
Presidenti Biden i ka bërë thirrje Kongresit që t’i dërgojë atij legjislacion që do të kodifikonte në ligjin federal të drejtën për një abort, e cila qëndronte për gati 50 vjet përpara se të rrëzohej nga Gjykata e Lartë. Ai gjithashtu ka kritikuar ndalimet mbarëkombëtare të abortit në shtetet republikane dhe thotë se do të vërë veton ndaj çdo ndalimi të mundshëm mbarëkombëtar nëse dikush vjen në tryezën e tij. Ndërsa, ish-presidenti shpesh mburret për emërimin e gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë që rrëzuan Roe kundër Wade, duke i dhënë fund të drejtës kushtetuese për një abort.
Klima
Në një mandat të dytë, Joe Biden mund të pritet të vazhdojë fokusin e tij në zbatimin e dispozitave klimatike të Aktit të tij për Reduktimin e Inflacionit, i cili siguroi gati 375 miliardë dollarë për gjëra të tilla si stimujt financiarë për makinat elektrike dhe projektet e energjisë së pastër. Biden po angazhon gjithashtu më shumë se 20,000 të rinj në një “Korpusi Klimatik”. Nga ana tjetër, Donald Trump, është zotuar të dalë nga Marrëveshja e Parisit për Klimën, t’i japë fund subvencioneve të erës dhe të eliminojë rregulloret e vendosura dhe të propozuara nga administrata e Biden.
Demokracia
Mbrojtja e demokracisë ka qenë arsyeja e ekzistencës së vendimit të Biden për të kandiduar për rizgjedhje. Gjatë fjalimit të 5 janarit, Biden tha se gara presidenciale e këtij viti ka të bëjë “të gjitha” nëse demokracia amerikane do të mbijetojë. Po ashtu e ka quajtur sulmin e 6 janarit 2021 në Kapitol një “ditë kur gati e humbëm Amerikën”. Ndërsa Trump nuk është zotuar të pranojë rezultatet këtë herë. Ai ka thënë se do t’i falë të pandehurit e 6 janarit të burgosur për sulm ndaj oficerëve të policisë dhe krime të tjera gjatë sulmit në Kapitol. Ai zotohet të riparojë Departamentin e Drejtësisë dhe FBI-në.
Qeveria federale
Administrata e Biden-it tashmë po ndërmerr hapa për ta bërë më të vështirë kryerjen e çdo shkarkimi masiv të nëpunësve civilë. Kjo ishte në përgjigje të Programit F, një urdhër ekzekutiv i vitit 2020 nga Trump që riklasifikoi dhjetëra mijëra punonjës federalë në mënyrë që ata të mund të pushoheshin më lehtë. Ndërsa manjati zotohet për një rishikim të burokracisë federale, ai planifikon të ribotojë urdhrin e Programit F për heqjen e mbrojtjeve të shërbimit civil.
Migrimi
Presidenti Biden vazhdon të mbrojë projektligjin gjithëpërfshirës të imigracionit që prezantoi në ditën e tij të parë në detyrë, i cili do t’u jepte një rrugë tetëvjeçare shtetësisë për emigrantët në SHBA pa status ligjor, me një rrugë më të shpejtë për emigrantët e rinj që jetojnë në vend në mënyrë të paligjshme që u sollën këtu si fëmijë. Trump, nga ana tjetër premton të kryejë dëbimin më të madh të brendshëm në historinë e SHBA, një operacion që mund të përfshijë kampet e paraburgimit dhe Gardën Kombëtare. Izrael-Gaza
Biden ka ofruar mbështetje të plotë për Izraelin që kur militantët e Hamasit filluan një sulm të papritur vdekjeprurës më 7 tetor. Administrata e tij po punon për të ndërmjetësuar një armëpushim të përkohshëm që do të lironte disa pengje të mbajtura nga Hamasi, gjë që do të lejonte gjithashtu hyrjen e më shumë ndihmave humanitare në rajonin e shkatërruar nga lufta. Biden gjithashtu bën thirrje për një zgjidhje me dy shtete. Ndërsa Trump ka shprehur mbështetje për përpjekjet e Izraelit për të “shkatërruar” Hamasin. Ai thotë se Izraeli duhet ta përfundojë punën shpejt dhe të kthehet në paqe. Ai ka bërë thirrje për përgjigje më agresive ndaj protestave pro-palestineze në kampuset e kolegjeve.
Çështjet LGBTQ
Presidenti dhe zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë denoncojnë rregullisht diskriminimin dhe sulmet kundër komunitetit LGBTQ. Menjëherë pasi mori detyrën, Biden anuloi një urdhër ekzekutiv nga Trump që kishte ndaluar kryesisht personat transgjinorë nga shërbimi ushtarak dhe Departamenti i tij i Arsimit. Sakaq, Trump është zotuar t’i mbajë gratë transgjinore jashtë sportit të grave dhe thotë se do t’i kërkojë Kongresit të miratojë një projekt-ligj që përcakton se “vetëm dy gjini, siç përcaktohet në lindje, njihen nga Shtetet e Bashkuara. Ai premton “të mposht helmin toksik të ideologjisë gjinore”. Trump do të mbështeste një ndalim kombëtar të ndërhyrjes hormonale ose kirurgjikale për të miturit transgjinorë dhe do t’i ndalonte transgjinorët nga shërbimi ushtarak.
NATO-Ukrainë
Që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës, Biden ka premtuar mbështetje të pandërprerë për Kievin. Administrata e tij dhe Kongresi i kanë dërguar Ukrainës dhjetëra miliarda dollarë ndihmë ushtarake dhe të tjera. Kësti i fundit i ndihmës arriti në 61 miliardë dollarë në armë, municione dhe ndihmë të tjera dhe pritet të zgjasë gjatë këtij viti. Ndërsa Trump ka diskutuar vazhdimisht me ndihmën e SHBA-së për Ukrainën dhe thotë se do të vazhdojë të “rivlerësojë thelbësisht” misionin dhe qëllimin e aleancës së NATO-s nëse kthehet në detyrë. Ai ka thënë se do të inkurajonte” Rusinë të bënte çfarë ajo do.
Tregtia
Këti ka disa ngjashmëri midis kandidatëve. Biden po bën thirrje për një trefishim të tarifave për çelikun kinez, një veprim që do të mbronte prodhuesit amerikanë nga importet më të lira. Edhe ish-presidenti Trump dëshiron një zgjerim dramatik të tarifave, duke propozuar një taksë prej ndoshta 10% për pothuajse të gjitha mallrat e huaja të importuara.
Taksat
Biden propozoi rritjen e normës së taksës së korporatave në 28% dhe taksës minimale të korporatës në 21% si një çështje “drejtësie themelore” që do të sjellë më shumë para për të investuar te amerikanët. Nga ana tjetër Trump, ka premtuar të zgjasë shkurtimet e taksave që ai nënshkroi në ligj në 2017.