Megjithë protestat në vend, Gjeorgjia po bën hapa përpara drejt zbatimit të një ligji për OJQ-të. Nga jashtë vijnë thirrje për tërheqjen e këtyre planeve dhe vihet në pikëpyetje edhe statusi i saj si vend kandidat i BE.
Qeveria e Gjeorgjisë do të miratojë një ligj për kontrolle të forcuara të organizatave jo qeveritare. Nëse ky ligj kalon të gjitha fazat dhe miratohet, Gjeorgjia duhet të dijë, se po rrezikon statusin e vendit kandidat në BE. Kështu shprehur drejtuesi i Komisionit Parlamentar për Europën në Bundestag, politikani gjerman i Të Gjelbërve, Anton Hofreiter.
“Me ligjin e ashtuquajtur, ligji i agjentëve, Gjeorgjia nuk mund të bëhet pjesë e BE”, ka theksuar kreu i Komisionit të Parlamentar për Europën për rrjetin redaksional gjerman, Gjermania. Hofreiter me këtë deklaratë nuk lidh vetëm me anëtarësimin e Gjeorgjisë në BE. Edhe ligji i planifikuar për kufizimin e të drejtave të homoseksualëve bie po ashtu ndesh me BE. “Në Gjeorgji demokracia është në pikëpyetje”, theksoi Hofreiter.
Paralele me Rusinë
Sipas projektligjit në Gjeorgji, organizatat joqeveritare që janë aktive në Gjeorgji dhe financohen më shumë se 20% nga jashtë, duhet të regjistrohen tek autoritetet dhe të bëjnë transparente të ardhurat. Një numër i madh organizatash që angazhohen për demokracinë në ish-republikën sovjetike mbështeten financiarisht nga BE dhe SHBA.
Kritikët akuzojnë qeverinë gjeorgjiane, se përmes ligjit të ri kërkojë të dobësojë ndikimin e organizatave joqeveritare që kritikojnë qeverinë. Ekspertët shohin paralele me Rusinë, ku që nga fundi i vitit 2020 është ashpërsuar ligji kundër “agjentëve të huaj” në Rusi. Përmes ligjit të ri, si organizatat ashtu edhe personat duhet të regjistrohen në një regjistër shtetëror, nëse angazhohen për çështje politike apo ushtarake ose nëse marrin fonde nga jashtë.
Votimi i tretë pas dy javësh
Parlamenti në Gjeorgji e miratoi në raundin e dytë projektligjin të mërkurën (01.05) Raundi i tretë i votimit pritet pas dy javësh, sipas kreut të qeverisë, Irakli Kobadshi. Presidentja e vendit, Salome Surabishvili mund të vendosë veton kundër ligjit, por vetoja mund të hiqet në rast të një shumice parlamentare. “Ka ende kohë për të ndikuar”, ka thënë politikani gjerman, Hofreiter duke apeluar tek vendet e tjera të BE. Ato duhet ta bëjnë të qartë, se “ky veprim i qeverisë gjeorgjiane nuk shkon, dhe se duhet të kërkojnë që të kufizohet ndikimi i oligarkëve”. BE duhet të mbështesë popullin gjeorgjian “që me 80% e dëshiron anëtarësimin në BE”, ka theksuar Hofreiter.
Edhe Komisioneri i OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Volker Tück i bëri thirrje Gjeorgjisë të mos e miratojë ligjin për “transparencën e ndikimit të huaj” dhe në vend të kësaj të hyjë “në dialog me shoqërinë civile dhe mediat”. Në një njoftim të komisionerit të OKB-së thuhet, se përmes ligjit krijohet dyshimi, se organizatat që marrin fonde nga jashtë “veprojnë në interes të një fuqie të huaj”. Kjo kërcënon lirinë e shtypit dhe organizimit./DW