MENU
klinika

Analiza

A rrezikon migracioni masiv të eliminojë shtetet kombëtare?

18.05.2024 - 12:20

Pas 50 vjetësh, historianët e ardhshëm do ta shohin kohën tonë me një këndvështrim tjetër. Ajo që mund të na duket sot si rritja e nacionalizmit dhe populizmit me një drejtim autoritar, do të ketë arritur në një fund-loje. Duke parë pas do të jetë e qartë se rendi global i shteteve-kombe po zbërthehet dhe nuk është më funksional.

Gjithsesi sot nuk duket kështu. Politikanët nacionalistë me axhendën për t’i vënë vendet e tyre në plan të parë, për t’i bërë ata sërish të shkëlqyer, duke mbyllur kufijtë e tyre ndaj emigracionit dhe mbrojtur strukturën e tyre kombëtare, po dominojnë lajmet dhe shpesh po fitojnë edhe zgjedhjet.

Dhe ky është një fenomen global. Nacionalizmi po kërcënon ta shpërbëjë BE-në dhe po nxit konflikte që rezultojnë në lëvizje masive të popullsisë. Unë kam lindur në gjysmën e dytë të viteve 1950, kur ideali i një shteti kombëtar homogjen ishte në kulmin e tij.

Ky ideal e karakterizoi shekullin XX-të: ne këndonim himnet kombëtare dhe krijuam gjithçka kombëtare, nga ekipet e futbollit tek orkestrat filarmonike. Karakteristikat kombëtare po përcaktoheshin në shtetet e reja të pavarura, duke përfshirë gjuhën, kuzhinën, muzikën, letërsinë dhe një histori krenare.

Në shtëpi duhet të kishe patjetër një fustan me motive kombëtare, edhe nëse askush nuk e vishte. Kombet ishin të mëdha. Sushi konsumohej vetëm në Japoni dhe pica jo në të gjitha pjesët e Italisë. E gjitha kjo ndodhi mjaft shpejt.

Idetë e shtetit kombëtar mbinë në shekullin XIX-të dhe arritën kulmin e tyre në vitet 1870 pas bashkimit të Gjermanisë nën Bismarkun dhe të Italisë nën Garibaldin. Për të përfunduar procesin, u deshën dy luftëra botërore, copëtimi i tre perandorive dhe fundi i kolonializmit.

Ishin 50 shtetet që e nënshkruan kartën e OKB-së në vitin 1945. Pesëmbëdhjetë vjet më vonë, numri ishte dyfishuar, dhe tani është 193. Bota u riorganizua për t’iu përshtatur modelit të ri dhe rendit të shteteve kombëtare të pavarura që po shfaqej. Kjo u shoqërua me një rishpërndarje të popullsisë, me lëvizje masive dhe ndryshime demografike.

Kufijtë e rinj synonin të krijonin shoqëri homogjene me histori, kulturë dhe identitet të përbashkët. Nëse procesi ishte i lavdishëm, nuk ishte pa dhimbje. Dhe kur ai u ndal, disa popujt si kurdët, baskët dhe katalanasit, mbetën pa shtet. Nuk mund t’u përshtatesh të gjithëve, ndaj procesi përfshinte dëbime, shfarosje dhe shkëmbime të popullsisë.

Pyesni armenët, grekët, turqit, hebrenjtë, gjermanët, palestinezët, indianët dhe të gjithë llojet e njerëzve të tjerë që nuk i përshtateshin narrativave kombëtare, dhe u është dashur të ecin përpara gjatë shekullit të kaluar apo më parë. Turqia dhe Greqia, India dhe Pakistani shkëmbyen popullsi me marrëveshje dhe miliona gjermanë u dëbuan nga Evropa Lindore. Gjenocidi armen dhe Holokausti shfarosën miliona dhe shpërbërja e Jugosllavisë u shoqërua me spastrim etnik. Por prisni pak, për çfarë bëhet fjalë tani zhurmë mbi rritjen e dukshme të nacionalizmit? Kjo i fundit nuk ndodhi në mënyrë aq intensive siç ndodhi me globalizimin në vitet 1990, atëherë pse tani?

Nëse shtetet kombëtare ishin në fillim të shkëlqyera, pse duhet t’i bëjmë sërish të mëdhenj? Ajo që po shohim është fundi dhe jo fillimi i shtetit kombëtar. Përgjigja është e thjeshtë: nacionalizmi aktual nuk nxitet nga globalizimi por nga demografia.

Si në një rreth të plotë, krijimi i shteteve kombëtare shkaktoi ndryshime demografike, dhe konfliktet që u shfaqën shkaktuan edhe më shumë lëvizje njerëzish. Nga ana tjetër kjo do të thotë se këto shtete nuk do të jenë më kurrë të njëjta. Arsyet kryesore për këto lëvizje janë konfliktet e dhunshme apo shtetet dhe ekonomitë e dështuara.

Një shtet sovran me kufij të sigurt dhe me një popullsi dhe kulturë homogjene kombëtare, është një gjë që i përket së kaluarës. Për më tepër, modeli i shekullit XX-të i shpenzimeve të tepërta shtetërore dhe i ofrimit të mirëqenies solli një inflacion të lartë dhe një barrë borxhi të pamenaxhueshme.

Konflikti sirian shkaktoi lëvizjen më të madhe të popullsisë në histori. Sipas Bankës Botërore, më shumë se 180 milionë njerëz jetojnë jashtë shteteve të tyre. Në vitin 2021, 42 për qind e aplikantëve për azil në Britaninë e Madhe vinin nga Lindja e Mesme (3 nga 5 vendet kryesore janë Iraku, Irani dhe Siria) dhe të dhënat e Zyrës së Brendshme të Mbretërisë së Bashkuar tregojnë se nga të gjithë refugjatët e zhvendosur në Britani nga janari 2010 deri në dhjetor 2021, rreth 70 për qind ishin shtetas sirianë.

Padyshim, luftërat në Ukrainë dhe Gaza, do të sjellin pasoja demografike të paparashikueshme. Shtetet e tjera të dështuara janë gjithashtu burimi kryesore i refugjatëve dhe azilkërkuesve. Demografia e njerëzve që zbarkojnë së fundmi tregon një përzierje të Lindjes së Mesme, Afrikës dhe Azisë Juglindore.

Në botën e djeshme pa kufij, kjo nuk do të kishte bërë ndonjë diferencë të madhe, pasi lëvizjet ishin më të ngadalta dhe më lehtësisht të zhytura. OKB-ja krijoi institucione për të lehtësuar këtë lëvizje, por ato në fakt i ngadalësuan dhe i bënë thuajse të pamundura.

Kur miliona gjermanë u zhvendosën nga Evropa Lindore pas Luftës së Dytë Botërore, nuk kishte asnjë Konventë të Gjenevës, asnjë Agjenci të OKB-së për Refugjatët dhe asnjë Organizatë Ndërkombëtare për Emigracionin. Ata u zhvendosën më shpejt dhe me shumë më pak dokumente se sa duhen tani.

Burokracia që shohim sot, po nxit një pjesë të madhe të njerëzve të lëvizin ilegalisht, ndaj është në rritje dukuria e trafikimit të qenieve njerëzore. Drejtimi i synuar i lëvizjeve të popullsisë është drejt vendeve të zhvilluara, të cilat janë më efikase në kontrollin e kufijve të tyre.

Pasoja është se vendet në zhvillim si Sudani, shpesh vetë në krizë, përfundojnë duke marrë pjesën më të madhe të atyre që janë zhvendosur me forcë. Vende si Libani, ku deri 1/3 e popullsisë së tij janë refugjatë, mund të bëhen të panjohshëm pas një brezi.

Evropa dhe SHBA-ja po përpiqen me dëshpërim të shmangin emigracionin e paligjshëm dhe për pasojë po përballen me krizat politike. Politikanët fitojnë vota duke i përshkruar si një sulm në kufijtë e tyre karvanët e emigrantëve dhe flotave të tyre me varkat e vogla.

Ndërsa shumica e shteteve e shohin demografinë si një kërcënim dhe i mbyllin kufijtë e tyre, ndoshta disa nga shtetet e Gjirit Arab e kanë përgjigjen në aftësinë e tyre për të akomoduar fuqi punëtore të huaj shumë herë më të madhe se popullsia e tyre.

Nëse fenomeni i shteteve-kombe ka ekzistuar për gati dy shekuj, ai i lëvizjeve së popullsisë dhe ndryshimeve demografike ka qenë realitet për mijëvjeçarë. Ai është i pakthyeshëm dhe shtytësi kryesor i ndryshimeve historike.

“Përpjekje për të ruajtur një balancë delikate politike“

VOA: Netanyahu takime të veçanta me Biden, Harris dhe Trump

Analiza nga DW/ Foli shumë pak për Donald Trump

Pse Scholz mendon se Kamala Harris mund të fitojë në SHBA

“Izolimi i Kinës” nga bota

Si e mbylli Xi Jinping vendin?