Këshilli i Lartë i Prokurorisë do të mblidhet këtë të hënë për të vendosur mbi fatin e mandatit të kryetarit të këtij institucioni, Alfred Balla, pasi Kolegji i Posaçëm i Apelimit vendosi ta largojë atë nga sistemi i drejtësisë për një periudhë 15-vjeçare. Mbledhja nis në orën 11:00 dhe do të zhvillohet në sallën e mbledhjeve të Këshillit.
Për zhvillimin e mbledhjes duhet të plotësohet kuorumi prej 7 anëtarësh, ndërsa të pranishëm do jenë edhe përfaqësues nga Ministria e Drejtësisë dhe Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela.
Balla vijon të jetë në detyrë, ndërsa më 21 maj, KPA vendosi përjashtimin e tij me 15 vite nga sistemi i drejtësisë. Ky vendim i KPA ka fuqi të prerë.
Kreu i KLP e cilësoi vendimin e KPA-së si “të turpshëm” dhe interpretoi se vendimi nuk kishte lidhje me statusin e tij aktual në KLP, ndërsa paralajmëroi që do t’i drejtohet Gjykatës së Strasburgut.
“Ky nuk është një vendim shkarkimi, pasi nuk është bërë hetim administrativ ndaj meje. Në bazë të këtij vendimi, në të ardhmen nuk mund të kandidoj për vende të caktuara, kuptohet deri sa të shprehet GJEDNJ,” shkroi Balla.
Ndryshe nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK që vlerësoi ta përfundojë procesin ndaj Ballës pa një vendim përfundimtar, Kolegji vendosi ta ndryshojë atë dhe veç ndërprerjes së vetingut, deklaroi edhe humbjen e të drejtës së këtij subjekti rivlerësimi për t’u emëruar gjyqtar ose prokuror i çdo niveli, anëtar i Këshillit të Lartë Gjyqësor ose i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Inspektor i Lartë i Drejtësisë ose Prokuror i Përgjithshëm, për një periudhë 15-vjeçare.
Alfred Balla iu nënshtrua procesit të rivlerësimit kalimtar për shkak të punës së tij si ndihmës ligjor në Gjykatën e Lartë deri në 31 korrik 2017, gjë që përcaktohej nga legjislacioni i vetingut të magjistratëve. Në KPK, trupa vlerësoi në shumicë se Balla e kishte humbur statusin e magjistratit pasi ishte shkarkuar nga kreu i Gjykatës së Lartë në korrik 2017 dhe e mbyllën procesin e tij pa një vendim përfundimtar.
Komisioneri Publik, Florian Ballhysa e ankimoi vendimin e KPK në Kolegj, duke kërkuar vendosjen e sanksionit 15 vjeçar, çka u konsiderua i drejtë nga Kolegji.