MENU
klinika

Mediat serbe në “delir”

Anëtarësimi i Kosovës në KiE/ “Perëndimi do shtyjë hyrjen e Prishtinës”

07.05.2024 - 11:26

Me afrimin e datës 16 maj, kur Komiteti i Ministrave në Strasburg duhet të marrë vendimin përfundimtar nëse Kosova do të anëtarësohet në Këshillin e Evropës, po bëhen gjithnjë e më të zhurmshme aludimet se ky hap i Prishtinës mund të shtyhet dhe kushtet për formimin e Asociacionit të komunave serbe. Kështu shkruan media serbe “Blic”, duke analizuar pse kjo mundësi mund të bëhet realitet. Analistët vlerësojnë se kjo mund të jetë strategjia e Perëndimit për të shmangur ndarjet dhe rrezikun e kompromisit dhe dështimit. “Kanë mbetur vetëm një javë e gjysmë deri në ditën e procesit të pranimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, por gjithçka mund të ndryshojë në momentin e fundit”, shkruan media pranë qeverisë serbe, duke shtuar se për këtë çështje flitet gjithnjë e më shumë në zemër të Evropës, madje edhe në organizata të lidhura ngushtë me BE. Argumenti kresor për bllokimin e hyrjes së Kosovës në Këshillin e Evropës, sipas “Blic” është fakti se Prishtina nuk ka bërë asgjë në lidhje me themelimin e Asociacionit, edhe pse është angazhuar në marrëveshjen e Brukselit në vitin 2013.

Vonimi i anëtarësimit

Diplomati Zoran Milivojeviç tregon për “Blic” se është e mundur të vonohet hyrja e Kosovës në Këshillin e Evropës. “Sinjali për këtë është fakti që Macron e ka telefonuar Kurtin. Perëndimi dëshiron të zbehë rezistencën e Serbisë ndaj hyrjes së Kosovës në Këshillin e Evropës. Ai po përpiqet t’i bëjë një lëshim Serbisë për të shmangur ndarjet dhe rrezikun e një dështimi të mundshëm në Këshillin e Evropës. Asociacioni vepron si një strategji për të shtyrë, por jo për të hequr dorë nga hyrja e Kosovës në Këshillin e Evropës”, thotë Milivojeviç. Siç thotë ai, edhe Perëndimi dëshiron t’i bëjë presion Kurtit që të zhbllokojë dialogun me Beogradin. “Italia dhe Franca tashmë kanë formuar, në një farë mënyre, një bllok shtetesh që rivalizojnë Gjermaninë dhe dëshirën e saj për të bërë lëshime vetëm për Prishtinën. Italia dhe Franca e lanë të ditur se duhet bërë një lëshim edhe ndaj Serbisë. Kjo është pasojë e vizitës së Vuçiçit në Paris”, shpjegon Milivojeviç për median serbe.

Strategjia e Perëndimit

Bashkëbiseduesi i “Blic” shton se Parisi është i mendimit se duhet të ketë një balancë. “Mendoj se Prishtinës do t’i kërkohet edhe diçka tjetër përveç referimit të vendimit në Gjykatën Kushtetuese lidhur me Asociacionin. Qeveria në Prishtinë do të duhet të ndërmarrë hapa më konkretë drejt Asociacionit”, vlerëson Milivojeviç. Ai beson se Perëndimi dëshiron t’i bëjë presion Kurtit edhe në planin e brendshëm. “Kurti është ai që bllokon dialogun me Beogradin dhe së shpejti priten zgjedhje në Kosovë, ndaj Perëndimi dëshiron ta dobësojë atë. Aq më tepër që Kurti është kundërshtar i Asociacionit. Me sa duket, Perëndimi ka gjetur një strategji daljeje, sipas së cilës Serbia bën lëshime, duke ushtruar në të njëjtën kohë presion ndaj Kurtit”, përfundon Milivojeviç.

Manovrat e Francës dhe Gjermanisë

Gerald Knaus, president i Iniciativës Evropiane për Stabilitet, ka bërë të ditur se është i mundur bllokimi për hyrjen e Kosovës në Këshillin e Evropës, të paktën në maj. “Aktualisht, disa anëtarë të Këshillit të Evropës, përfshirë Gjermaninë dhe Francën, po përgatiten të bllokojnë votimin për anëtarësimin e Kosovës në maj, duke injoruar rekomandimin e fortë të Asamblesë Parlamentare nga prilli”, ka shkruar Knaus në rrjetin X. Knaus shtoi se kjo pasoi fushatën e presidentit serb Aleksandër Vuçiç, duke përfshirë një apel personal drejtuar presidentit francez Emmanuel Macron që të mos lejojë një votim për pranimin e Kosovës në Këshillin e Evropës. Gjithashtu, sipas tij, ka ndikim edhe synimi i Serbisë për të blerë 12 avionë francezë Rafale. Siç shkruan media serbe këtë e ka bërë të ditur edhe ministri i fundit i Punëve të Jashtme Ivica Daçiç. “Situata është, të paktën sa isha ministër i Jashtëm, që ka presione për ta detyruar Kurtin të marrë, siç shprehen qartë, ata kërkojnë një hap të pakthyeshëm drejt formimit të Asociacionit”, tha Daçiç. Sidoqoftë, sipas tij, “çështja miliona dollarëshe” është se cili do të ishte ai “hap”.