MENU
klinika

E dhunuan në Ish-Bllok

Argita Malltezi viziton në Spitalin e Traumës avokatin Sokol Mëngjesi

29.05.2024 - 13:32

Vajza e ish-kryeministrit, Argita Malltezi ka shkuar të vizitojë në Spitalin e Traumës avokatin Sokol Mëngjesi, i cili u dhunua barbarisht nga tre persona të paidentifikuar, mëngjesin e sotëm. Argita u shpreh se avokati u sulmua për shkak të detyrës.

“Avokati u sulmua për shkak të detyrës. Kush e njeh Sokolin e di sa njeri korrekt është. Nuk ka asnjë konflikt tjetër. Ai është në reanimacion nuk e takova dot por fola me familjarë dhe mjekë. Duhet të presim për të parë gjendjen e tij”, u shpreh Argita për “Top Channel”.

Brenda ambienteve të spitalit të Traumës ndodhen edhe kolegët e tij Genc Gjokutaj dhe Klodian Skënderi.

Ndërkohë mësohet se autorët të cilët dhunuan me dorezë metalike avokatin Sokol Mëngjesi kanë qenë të pamaskuar, ndaj dhe policia po verifikon kamerat në zonë për të zbuluar më shumë për ngjarjen.

Nga ekzaminimet e para, avokati Sokol Mëngjesi ka dy fraktura në kokë, megjithatë pritet t’i bëhen edhe ekzaminime të tjera, pasi këto janë rezultatet e para gjatë ekzaminimit me skaner.

Sokol Mëngjesi po linte djalin e tij në kopsht kur iu bë pritë nga tre persona mëngjesin e sotëm. Autorët e kanë gjurmuar avokatin kur ka dalë nga banesa e tij në zonën e ish-Bllokut. Avokati u dërgua me urgjencë në Spitalin e Traumës.