Në kuadër të megaoperacionit të SPAK janë vënë në pranga në Spanjë dhe Itali dy persona.
Mësohet se bëhet fjalë për Arjan Tukun, i cili është arrestuar në Itali, ndërsa Denis Meta në Spanjë.
Arrestimi i tyre u bë nga shkëmbimi i informacioneve në kohë të shpejt mes Interpol Tiranës dhe autoriteteve spanjolle e italiane.
SPAK ka firmosur urdhër arresti edhe për ish-efektivin e RENEA-s, Altin Morina, i cili u arrestua në mars të vitit 2023, pasi në makinën me të cilën po lëvizte iu gjetën 113 mijë euro.
43-vjeçari, në atë kohë me detyrë Shef i Repartit të Stërvitjes tek Forcat RENEA, u prangos në zonën e Kodrës së Diellit, teksa lëvizte me këtë automjet luksoz.
Ndërkohë në total deri tani jane leshuar 50 urdhër arreste, mes tyre edhe ish zyrtare policie.
Për operacionin reagoi edhe ministri i Brendshëm, Taulant Balla, i cili publikoi edhe pamjet e operacionit, kur forcat RENEA mësyjnë nëpër vila.
“Lufta kundër krimit të organizuar falë bashkëpunimit me SPAK dhe agjencitë e tjera ligjzbatuese, si dhe vetëpastrimi i Policisë së Shtetit nga punonjësit e Policisë të lidhur me ta, janë të pandalshme dhe po japin rezultate për rritjen e parametrave të sigurisë në komunitet, krijimin e një trupe policore të denjë dhe me integritet si dhe për rritjen e besimit të qytetarëve tek Policia e Shtetit. Besimi i qytetarëve është elementi kyç që Policia të përmbushë misionin e saj”, shkruan Balla.