MENU
klinika

Gjyqi ndaj Mediut

Avokatët kërkojnë marrjen në pyetje të 5 amerikanëve përmes video-konferencës

02.05.2024 - 12:50

Në seancën e radhës ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, avokatët e tij këmbëngulën që pyetja e 5 shtetasve amerikanë për llogari të procesit, të behet përmes video-konferencës.

Avokatët i kërkuan gjykatës të autorizojë prezencën e gjeneral major Andrey Turley, avokat penalist, si përfaqësues i Mediut gjatë ekzekutimit të letër porosisë.

Po ashtu, ata kërkuan edhe mundësinë e autorizimit për prezencën e njërit prej tyre. Kërkesa e avokatëve për video konferencë u mbështet edhe nga prokurorët e SPAK, nëse ishte i mundur realizimi i saj.

Gjatë seancës ku vetë i pandehuri Mediu nuk ishte i pranishëm, pati debate të forta mes palëve në lidhje me mos marrjen e një vendimi nga gjykata për pyetjen e ekspertëve që kanë përgatitur akt ekspertimin financiar.

“Prokurorët na treguan akt-ekspertimin, por nuk na thanë çfarë provon ajo për Mediun”, tha avokati Henrik Ligori.

“Ky është një proces shterpë, që nuk pjell dot fajësi. Është proces me vese procedurale”, u shpreh avokati tjetër, Ardian Visha.

Gjykata është tërhequr në dhomë këshillimi për marrjen e vendimit.